Teatri, inceneratorët, Beccheti i nxjerrin bojën Drejtësisë me regji!

Nga Petrit Vasili

Ka tre superçështje të medha, Teatri, Inceneratoret dhe Beccheti, të cilat presin përgjigje.

Tre çështje ku faji dhe fajtorët janë të qartë, dokumentet pa fund dhe dëmi i shkaktuar është kolosal.

Drejtësia me regji ka mbyllur sytë e veshët dhe ka lidhur duart sepse fajtorët janë Kryeministri, Qeveria dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Drejtësia me regji pranon të bëhet qesharake, bile lolo e vërtetë, duke ia mbathur në Lushnje, Pogradec dhe Fier, duke u rënë teneqeve të drejtësisë fiktive për të bërë gjoja zhurmë për të mos u dëgjuar këmbanat e Teatrit, inceneratorëve dhe Becchetit.

Drejtësia me regji përjashton dhe rrëzon reformën në drejtësi.

Shqiptarët presin drejtësi të vërtetë dhe jo drejtësi me regji, që mbledh mbeturina drejtësie lart e poshtë për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe për të çimentuar pandëshkueshmërinë e Kryeministrit, Qeverisë dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Psherëtimat e kremtimet qesharake për Reformën në Drejtësi bëhen edhe më të neveritshme, kur shikojmë këtë Drejtësi me Regji, që dridhet e spërdridhet përpara çështjeve të mëdha dhe bën si shumë aktive e trime, kur merret me ngordhësira, të cilat propaganda pro-Rilindje kërkon që t'i shesë si çështje të rëndësishme, kur janë e mbeten vetëm ngordhësira.

Drejtësia e vërtetë flet me veprime dhe jo me propagandë.

Drejtësia me regji jeton vetëm prej propagandës dhe gjallon falë saj dhe parave e privilegjeve të pista të pushtetit të Rilindjes.

Drejtësia, nëse ia mban dhe guxon, le t'i japë përgjigje Teatrit, inceneratoreve dhe Becchetit dhe le t'i çojnë përgjegjësit përpara drejtësisë dhe të gjithë ne do duartrokasim fort.

Për sa kohë që nuk e bëjnë, nuk ka Reformë në Drejtësi, por ka vetëm Drejtësi me Regji!!