Ançeloti përballet me drejtësinë spanjolle

Tekniku italian po përballet edhe me drejtësinë spanjolle e cila për momentin ka bllokuar pagesat e rrogës së tij pas firmës me madrilenët, për shkak të detyrimeve të prapambetura fiskale nga eksperienca e tij e parë të Reali.

Sot tekniku është shfaqur bashkë me avokatin e tij para gjykatës në Madrid për të dhënë versionin e tij të fakteve për evazionin fiskal pasi nuk ka deklaruar fitimet e plota në vitet kur drejtoi Realin në eksperiencën e parë.

Mediat spanjolle raportojnë se Ançeloti ka pranuar para gjykatës se ka mashtruar shtetin spanjoll, duke mos paguar siç duhet detyrimet në vitin 2014, të parin te Reali, duke shpjeguar se në atë rast ishte “këshilluar gabim”. Ndaj për vitin 2014, ai ishte gati të paguante menjëherë diferencën prej 300 mijë eurosh për atë vit dhe gjobën përkatëse që shoqëron vonesën.

Ançeloti kundërshton për vitin e dytë fiskal pasi nuk ka bërë të paktën 183 ditë në Spanjë për t’u cilësuar rezident, pasi është shkarkuar nga Reali pas 158 ditësh duke u larguar nga vendi iberik. Nëse do të kalonte atë numër ditësh, taksimi i tij mbi fitimin do të ishte 47% dhe jo 24,5% që ka paguar Ançeloti.