Kraja: Duhen ambiente për BKH, lidhjet politike nuk do mbrojnë askënd

Kreu i SPAK, Arben Kraja, tha sot se statusi dhe lidhjet politike nuk do mbrojnë askënd nga drejtësia. Ai tha se grupi i parë i BKH, e cilësuar si FBI shqiptare, është gati për të nisur punë, duke shtruar nevojën për krijimin e një godine të re për ushtrimin e detyrës së tyre.

Një tjetër problematikë e ngritur prej tij është mandati i kufizuar i prokurorëve dhe hetuesve duke theksuar se kjo bie ndesh me qëllimin përse ato janë krijuar.

Kraja paralajmëroi hetim deri në fund për të gjithë ata që janë të përfshirë në veprimtari kriminale apo korrupsion, qofshin ata njerëz të thjeshtë apo zyrtarë.

Referuar goditjeve të fundit të bëra nga SPAK, Kraja deklaroi se hetimi për të gjithë do të shkojë deri në fund, duke theksuar prerë se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

“Nga kontaktet që kemi me partnerët, BKH është gati të fillojë punë me një grup shumë efikas dhe me vullnet për të punuar e për të dhënë rezultat. Ka pasur rezultate konkrete. Rezultatet e 2-3 muajve të fundit janë të matshme dhe kanë treguar se struktura po fillon të funksionojë dhe të japë produktin e saj. Ka pasur ndëshkueshmëri me konfiskime pronash nga aktiviteti kriminal, por edhe hetime e ndjekje penale ndaj personave, zyrtarë apo jo-zyrtarë, hetimi ndaj të cilëve do të shkojë deri në fund. Pavarësisht kush do jenë personat apo personazhet e përfshirë në hetim, ne do t’i shkojmë deri në fund.

Duhet të ulemi e të diskutojmë për ambiente për hetuesit e BKH, duhet gjetur një zgjidhje për këtë. Jemi në një situatë ku kemi një mungesë të gjatë ndëshkueshmërie dhe e gjithë kjo situatë nuk mund të zgjidhet me një strukturë, me mandat të kufizuar kohor. Nga ana tjetër, buxheti i shtetit, gjithë faktorët ndërkombëtarë po investojnë, për ta përgatitur këtë strukturë. Qëllimet janë të qarta, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, aseteve kriminale. Ne punojmë me parimin që të gjithë janë të barabartë para ligjit”, deklaroi Arben Kraja.