Rrezik nga talebanët, Taxhikistani mobilizon 230 mijë ushtarë

Taxhikistani ka thënë se i ka vënë të gjitha forcat e armatosura në gjendje të lartë gatishmërie për luftime dhe ka zhvendosur mijëra trupa në kufi me Afganistanin, pas avancimit të talebanëve në zonën kufitare afgane.

Me urdhrin e Presidentit Emomali Rahmon, shteti i Azisë Qendrore ka mobilizuar 100 000 ushtarë aktivë, 130 000 ushtarë e oficerë rezervistë si dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Ky është ushtrimi më i madh në historinë 30-vjeçare të Taxhikistanit të pavarur.

Përpos kontrollimit të gjendjes së gatishmërisë, 20 000 rezervistë janë dërguar në kufirin Taxhikistan – Afganistan për të shërbyer si përforcim për rojat kufitare.

Javët e fundit, talebanët kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Afganistanit, përfshirë disa pikëkalime kufitare, duke detyruar shumë oficerë afganë që të ikin nga vendi. Këto zhvillime kanë ardhur pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani.