Shkarkimi i Hickës, Çela: Qeveria shiti çështjen e CEZ si sukses, shkoi në Arbitrazh me studio joserioze

Gazetarja Lindita Çela, në një intervistë në Syri Tv me moderatoren Eneida Ndoci, foli edhe për shkarkimin e ish-Avokates së Shtetit, Alma Hicka.

Çela thekson se Avokatura e Shtetit është një institucion kyç për vendin tonë, por që shpesh herë ka pasur probleme në mbrojtjen që iu bën çështjeve të rëndësishme.

Sipas Çelës, qeveria aktuale shiti çështjen e CEZ si një sukses, por se shkoi në Arbitrazh me një studio joserioze.

“Janë botuar 3-4 shkrime që hidhnin dritë mbi problematikën e Avokaturës së Shtetit. Shumë ministra kanë refuzuar që të miratojnë kontratat e Avokaturës së Shtetit. Janë shumë çështje te Avokatura dhe kaloi gjithçka me vetëm largim nga sistemi i drejtësisë i Alma Hickës. Hicka nuk mund të mbrohet nga i afërti, në këtë rast bashkëshorti. Çështja e Becchetit është e humbur. Nëse Shqipëria do kishte persona të aftë, nuk do humbte gjyqin me CEZ.

As sot s’kemi asnjë hetim. Qeveria shiti çështjen e CEZ si sukses, por përfaqësimi në Arbitrazh ishte i dobët. Avokatura e Shtetit duhet të mbrojë çështjet tona, të shtetit tonë, nga çështjet e lehta deri te ata më të rënda. Avokatët e shtetit lënë shumë për të dëshiruar, sepse ata janë aty nga njohjet e jo nga sa e meritojnë, prandaj Shqipëria humb çështje në Arbitrazh. Shpresoj që SPAK të nisë hetim, që mos na tregojnë se korrupsioni i madh në vend është tek një arkë peshku”, deklaroi Çela.