'Bela Mafia'/ Çfarë po e tremb Erion Veliajn?

Ditën e Bajramit, Edi Rama veproi si zakonisht. U mjaftua vetëm me një foto dhe me një urim në rrjetet sociale. Por rolin e tij po përpiqej që ta merrte dikush tjetër në sytë e publikut. Erion Veliaj kishte bërë gati njoftimet për takimet dhe po i shpërndante me një regji nga lart në media. Nuk flitej për Veliajn si kryebashkiak, por për Veliajn politikan.

Një ditë më vonë, teksa media ishte akoma e përgjumur, Veliaj u bë i pari që fliste publikisht se si do jetë qeveria e re në shtator.

Por ky protagonizëm i ngutshëm i Veliajt nuk është diçka e re gjatë ditëve të fundit. Po të shohësh feed'et e ambasadave dhe të bashkisë, do shihni kudo fytyrën me qeshjen false të Veliajt. Pas vizitave vetëm sa për sy e faqe në SHBA, erdhi një muaj me takime intensive në krah të diplomatëve.

Pas 25 prillit, rruga e Veliajt si pasaardhës i Ramës është  komplikuar ndjeshëm, megjithatë ai po përpiqet që të krijojë idenë e kundërt.

Kur doli vendimi për Teatrin nga Gjykata Kushtetuese, ai u distancua nga qeveria duke thënë se ishte rrëzuar vendimi i saj, jo urdhrat e bashkisë.

Por teksa daljet e tij në krah të Ramës janë reduktuar deri në eliminim, arrestimet në radhët e kryebashkiakëve po i shërbejnë Ramës për të kërcënuar Veliajn dhe sojin e tij. Për më tepër që dosja e përgjimeve të Ndraghetas i qëndron Veliajt gjithmone si Shpata e Damokleut mbi kokë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, afrimiteti i Ramës me 'Belën' e infrastrukturës e rrezikon më shumë Veliajn. Lajmet që qarkullojnë se Bela mund të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në rast të një kompromisi për zgjedhje të reja lokale, nuk janë ogur i mirë për të.

Bela nga ana e saj nuk ka një dosje më të vogël mbi shpatulla, e cila nis që me kanabizimin e vendit dhe fluturimet e 'mushkonjave' në kohën kur ishte drejtuese te ANTA.

Por frika e dosjeve mbetet më e madhe për Veliajn, tani që po flitet kaq shumë për milionat që duhet të paguajnë shqiptarët për biznesmenin italian, Françesko Beketi.

Mbi të gjitha, nëpër redaksitë e Tiranës po qarkullon një thashethem se SPAK mund të lëvizë për dosjen më të fortë, atë të inceneratorëve.

Kjo ishte arsyeja pse një ditë  më parë, mediat u mbushën me lajme plot lavde për inceneratorin e Tiranës. Ishte një mënyrë e zgjedhur nga Veliaj për t'i dërguar sinjal SPAK se nuk duhet të guxojë.

Kjo situatë e ka komplikuar pozicionin e Veliajt, i cili vërtet kërkon të bëhet protagonist, por mund të përfundojë duke u bërë protagonist për keq.

Teoria e lojës po shkon drejt kulmit.