VIDEO/ Prokurori Maksim Sota kërkon makinën e sekuestruar nga SPAK

Një automjet që dyshohet se prokurorit të Vlorës, Maksim Sota ia kanë blerë trafikantët e drogës është sekuestruar me urdhër të SPAK.

Prokurori Sota ka apeluar masën e sekuestros dhe ka kërkuar që ti kthehet mjeti i sekuestruar.

Ndërkohë që seanca do të mbahet më 27  korrik, ku apeli i GJKKO-së do vendosë nëse do ja kthejë apo jo mjetin.

Prokurori Maksim Sota është ndaluar gjatë operacionit ‘Shpirti’.

Sipas dosjes, roli i supozuar i prokurorit Maksim Sota rezulton nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donial Droli dhe Maringlen Shusha, sipas të cilëve drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari (Zaimi), arrestuar në Shqipëri në korrik 2020, kishte lidhje me prokurorin, madje i kishte siguruar një shtëpi me qira të cilën e paguante trafikanti, kur Maksim Sota jetonte bashkë me Maringlen Shushaj.

Megjithatë, ai i ka mohuar këto akuza duke thënë se ka jetuar te shtëpia e vëllait të tij në Vlorë. Mbi bazën e këtyre dëshmive, u krijua dyshimi për ‘infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të Shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale’.

Gjykata mbi këto elemente ka bazuar akuzat ndaj prokurorit Maksim Sota për shpërdorim detyre.