VIDEO- SYRI TV/ Pse u anashkalua koncesioni i rrugës Milot-Balldren

Koncesioni më i debatuar, ai i autostradës Milot-Shkodër po anashkalohet nga qeveria shqiptare, e cila ka akorduar një financim tjetër me të cilin do të hartohet, studimi që dublon autostradën Milot-Lezhë për ta bërë me katër korsi nga dy që është aktualisht. Ministria e Infrastrukturës në raportin e monitorimit janar-prill 2021 njoftoi se për këtë çështje u akorduan 259 milionë lekë

SYRI TV

Qeveria shqiptare anashkalon koncesionin Milot-Balldren dhe nis financimin e studimit për dublimin e autostradës Milot-Shkodër.  Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka akorduar një financim me të cilin do të hartohet, studimi që dublon Autostradën Milot-Lezhë për ta bërë me katër korsi nga dy që është aktualisht.

Burimet zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës ne raportin e monitorimit janar-prill 2021 njoftuan se u “akorduan 259 milionë lekë për financimin e studimeve dhe projektimeve: Projekti i rrugës By Passi Elbasan, Dublim i rrugës Milot-Lezhë-Shkodër, rruga Vaqarr – Kavajë dhe Studim i fizibilitetit të autostradës Adriatiko – Joniane”. Përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese nga Miloti në Balldren ishte parashikuar nëpërmjet ndërtimit të autostradës Milot-Balldren me koncesion PPP.

Koncesioni, i cili pati një kontestim të lartë në opinionin publik dhe në grupet e ekspertëve për kostot e larta u pezullua gjatë vitit të kaluar me argumentin se kriza pandemike ndikoi negativisht të ardhurat buxhetore e për rrjedhojë Milot-Balldren nuk do të financohet. Më herët, dështimi i koncesionit dhe mosfinancimi i tij me fonde publike ishte lajmëruar edhe nga zyrtarë të lartë të qeverisë.

Tani dy vite nga nënshkrimi i kontratës, ANK, kompania që ka fituar të drejtën e koncensionit ende nuk ka nisur punën.

Por nga ana tjetër, Ministria e Financave vazhdon ta kontabilizojë koncesionin Milot-Balldren në llogaritë fiskale të qeverisë edhe pse financimet shënohen me zero. Veprimet e fundit të qeverisë për të financuar me fondet e veta një projekt që dublon aksin-Milot- Shkodër tregojnë se qeveria e anashkaluar financimin e koncesionit.  Projekti PPP për ndërtimin e segmentit Milot -Balldren u iniciua pas një propozimi të pakërkuar të kompanisë shqiptare A.N.K dhe në tetor 2018, kompania A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldren, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro.

Pas një rinegocimi pa garë të interesave, vlera e kontratës u rrit në 213 mln euro pa TVSH, ose 256 mln euro me TVSH, për një gjatësi prej 17.2 km. Baypass-i i Lezhës, ose ndryshe aksi Milot-Balldren, është pjesë e Autostradës Adriatiko -Joniane, projekt i cili është përzgjedhur për financim nga Nisma e Berlinit për shkak se, lidh Ballkanin Perëndimor me Korridoret Europiane.

Në studimin e fizibilitetit, dokumenti zyrtar që ka Ministria e Infrastrukturës për autostradën Adriatiko – Joniane, Balldren-Milot e përllogarit me një kosto 141 milionë euro (pa TVSH), ose 177 mln euro me TVSH, të cilat vlejnë për ndërtimin e 17 kilometrave autostradë.

Por, më datën 7 nëntor të vitit 2018, në një mbledhje ku po diskutohej korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor, të administruara nga WBIF (The Western Balkans Investment Framework), u vendos që Shqipërisë t’i kërkohej të kthente 350 mijë euro që i kishte marrë për studimin e fizibilitetit për Bypass-in e Lezhës (Milot-Balldren) për shkak se qeveria shqiptare kishte vendosur dhënien e tij me koncesion të tipit PPP.