VIDEO- KAFE SHQETO/ Gjobat e arbitrazhit kanë kosto 1 miliard USD

Mëngjesin e sotëm, në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV, u debatua në lidhje me çështjen e gjobave të arbitrazhit. Taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë 445 milionë euro për çmenduritë e qeverisë, një kosto stratosferike.

Eksperti Akil Kraja tha në emision se kosto ekonomike mund të jetë më e lartë. Sipas tij, kjo kosto mund të shkojë në 1 miliard dollarë. Kraja tha se këtu nuk janë llogaritur të tjera të dhëna. Për shembull, në të ardhmen do mungojnë investimet që sjellin të ardhura, për shkak se paratë do shkojnë për të paguar gjobat. Edhe bonot do të shtrenjtohen dhe interesat për borxhin do rriten. Sipas tij, edhe investitorët e huaj do vijnë me një kosto shtesë në shpinë.

“Çdo familje shqiptare do paguajë mbi 100 euro për këto gabime të qeverisë,” tha ai.

Kurse avokati Dorian Matlija tha se për këto gjoba, përgjegjësinë duhet ta marrin zyrtarët që kanë marrë vendimet.

“Zyrtarët kanë përgjegjësi për këtë vendimmarrje të gabuar. Këtu nuk janë vetëm gjyqet e arbitrazhit, por janë edhe gjyqet kundër shtetit të fituara në Shqipëri. Të gjitha rëndojnë në xhepat e shqiptarëve,” tha ai.

“Çdo vendim mund të shoqërohet me një faturë mbi shpinën e titullarit,” shtoi Matlija.

Ndiqeni më poshtë videon e plotë: