VIDEO/ Gjoba 110 milionë euro ndaj Becchetit, Koka: Qeveria shpalosi fytyrën e saj, SPAK duhet të reagonte

Gazetari Bledian Koka, në një intervistë me moderatoren Eneida Ndoci në Syri Tv, foli për gjobën prej 110 milionë euro, që qeveria shqiptare do i paguajë Becchetit.

Koka thekson se qeveria ka shpalosur fytyrën e saj, duke shtuar se për rastin duhet që të reagonte SPAK.

“Qeveria shpalosi fytyrën e saj. Sot jemi me një shtet, që ka probleme të mëdha financiare. Denaj ka thënë vetëm atë që e dinim të gjithë. Ajo tha se ne do heqim para nga diku tjetër dhe do japim për biznesmenin. Duhet të kishim reagim nga SPAK, që duhet të hetonte kush janë përgjegjësit e këtij dëmi të tmershëm financiar.

Ka një sërë gjërash që duhen hetuar, si prsh kush vendosi që të mbyllet televizioni dhe si ka mundësi që Rama vendosi të jetë vetë gjyqtar, duke thënë se Beketi ishte kriminel. Nëse ka drejtësi të pakapur, SPAK duhet të ndërhynte, ndryshe drejtësia është totalisht e kapur. Janë edhe 440 milionë euro të tjera, që duhen paguar”, tha Koka.

Bledian Koka vlerësoi se ministrat dilnin e mashtronin publikisht, duke thënë se Beccheti nuk do marrë kokërr leku, por se kjo gjë doli haptazi se ishte mashtrim i madh.

“Ministrat thoshin se kokërr leku nuk do marrë Beketi, e në fakt po merr aq shumë para. Do paguajmë kokërr më kokërr, 110 milionë euro, gjyqin dhe kamat-vonesat e janë para që dalin nga xhepi ynë. Është futur në burg Eduard Kapri, pse ka bërë gabim procedurat për një tender 9 milionë të vjetra, për drutë. Për 9 milionë të vjetra, Kapri është në burg, kurse Rama për 110 milionë euro është akoma në atë post. Kryeministri, ministrant dhe të tjerët po marrin vendime në favor të njerëzve që iu rrinë afër, e drejtësia e re është mish për top. Aksionet e SPAK janë tallje e madhe. Ne kemi qeveri që vetëm shkatërron financat tona, kemi maxhorancë që do vetëm të sundojë. Po të kishte drejtësi, duhej të hapej hetim. Nuk pres ndërgjegjësim nga Rama”, u shpreh Koka.