Ivan Gazidis me kancer në fyt, shefi i Milanit tregon për shpresën që i kanë dhënë mjekët

Një lajm i trishtë është bërë publik ditën e sotme. Bëhet fjalë për CEO-n e Milanit, Ivan Gazidis, i cili është diagnostifikuar me kancer në fyt.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi kuqezi nëpërmjet një deklarate zyrtare.

“AC Milan informon tifozët se shefi ynë, Ivan Gazidis, është diagnostikuar me një kancer në fyt. Bazuar në një seri të gjerë testesh dhe skanimesh, mjekët presin që ai do të shërohet plotësisht”, thuhet në deklaratën zyrtare të Milanit.

Ndërkohë Gazidis, foli vetë për faqen e klubit dhe tregoi se mjekët i kanë dhënë shpresë të madhe për shërim.

“Sigurisht, nuk ka kurrë momente të mira për një diagnozë të kancerit. Por për fat të mirë duket si një formë shumë e shërueshme. Një ekip i nivelit të lartë mjekësor do të më ndjekë dhe unë kam mbështetjen e të dashurve të mi dhe të gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të Klubit.

Kam besim, bazuar në të gjitha konsultat e para mjekësore, që tumori do të trajtohet me sukses deri në shërimin e plotë. Diagnoza ime demonstron rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, edhe nëse nuk kam simptoma.

Ndjej se mund të inkurajoj gjithsecilin që t’i japë përparësi shëndetit të tij dhe të mos nënvlerësojë parandalimin, madje edhe në detyrimet e përditshme të jetës dhe punës”, tha Gazidis.