Vrasja e pensionistit italian, shqiptari dhe bashkëpunëtori heshtin para gjyqtares

31-vjeçari shqiptar Paulin Meçaj, i akuzuar si vrasësi i italianit Giovanni Caramuscio, dhe bashkëpunëtori i Andrea Capone, 28, kanë qëndruar të heshtur para gjykatëses dhe prokurorit në Gjykatën e Lecces, gjatë seancës për vlerësimin e masës së arrestit.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vrasje në bashkëpunim, mbajtje e paligjshme armësh dhe shantazh.

Viktima e krimit ishte 69-vjeçari Caramuscio, drejtor banke në pension, jeta e të cilit, si për ironi të fatit, u shua pikërisht para një banke, të premten në mbrëmje.

Ai shkoi bashkë me gruan për të tërhequr para nga bankomati. Para syve të gruas, dy grabitësit e qëlluan pasi ai kundërshtoi t’u dorëzonte paratë.

Ai u godit nga dy plumba, të cilët rezultuan fatalë.

Avokati i Meçajt tha se klienti i tij nuk mund t’u përgjigjej pyetjeve pasi ishte tepër konfuz.

Edhe avokati i italianit Capone tha se ai ishte i tronditur, pasi nuk kishte pasur të bënte me burgje më parë.

Trupi i të ndjerit Caramuscio do t’i nënshtrohet autopsisë nga mjeku ligjor e më pas gruaja dhe tre djemtë do të mund të bëjnë funeralin.