VIDEO/ Në Berat nuk ka landfill të ri, Show Rama-Demo me projektin zviceran, u rahbilitua gropa e…

Kryeminsitri Edi Rama dhe kryebashkiaku Ervin Demo deklaruan të hënën se ndotjes në qarkun e Beratit me ndërtimin e Landfillit të ri. Materiali në vijim është një analizë faktesh që projekti i inaguruar nga kryeministri Rama nuk është landfill, por vetëm rehabilitimi i një hotspoti në buzë të lumit Osum i realizuar me fonde të qeverisë zvicerane.

Nga Syri TV

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, u shfaqën paraditen e së Hënës në media, për të dhënë lajmin e mirë se tashmë ndotjes së qytetit nga mbeturinat i erdhi fundi.

Dy drejtuesit socialistë shëtitën në zonën, ku janë kryer disa punime rehabilituese, në anë të lumit Osum, si pjesë e fazës së parë të një projekti zviceran me katër etapa, të cilat do të përfundojnë në një kohë të pacaktuar, me ndërtimin e një landfilli për Beratin dhe bashkitë e tjera të qarkut.

Por, deri më tani, ngritja e landfillit duket ende shumë larg, pavarësisht deklaratave triumfuese të kryeministrit Rama dhe të emëruarit të tij në Berat, Demo.

Dhe kjo, natyrisht, jo për shkak të donatorëve ndërkombëtarë, por për mungesë serioziteti nga autoritetet shqiptare.

“Syri Tv” ka bërë një kontroll faktesh, në bazë të të cilave rezulton se realiteti është shumë larg asaj që prezantohet në kronikat propagandistike.

Në Qershor 2020, qeveria Shqiptare miratoi një Marrëveshje me Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike të Konfederatës Zvicerane, SECO, mbi ofrimin e ndihmës teknike dhe financiare për projektin “Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Qarkun Berat”.

Sipas kësaj marrëveshjeje, qeveria zvicerane, nëpërmjet SECO, do të financonte 2.2 milionë franga zvicerane, ndërsa 5 bashkitë e qarkut Berat, konkretisht Berat, Skrapar, Ura Vajgurore, Poliçan dhe Kuçovë do të kontribuonin bashkërisht 200 mijë franga zvicerane.

Ky projekt financohej tërësisht nga Sekretariati i Konfederaës Zvicerane SECO dhe përbëhej nga 4 komponentë.

Komponenti më i ngutshëm ishte projektimi dhe zbatimi i masave afatshkurtra.

Në këtë fazë parashikohej rehabilitimi i pikave ekzistuese të depozitimit për mbrojtjen e mjedisit pranë lumenjve, të cilat gjendeshin pikërisht në vendin ku kreu shëtitjen kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Demo.

Ky komponent i ngushtëm u konsiderua i përfunduar pak ditë më parë, në një ceremoni ku ishte i pranishëm kryebashkiaku Demo dhe ambasadori zviceran në Tiranë, Andre Maitre.

Edhe në atë aktivitet, kryetari i bashkisë së Beratit foli i papërmbajtur, duke deklaruar se tashmë i erdhi fundi ndotjes mjedisore nga mbeturinat në qytet.

Por, ambasadori Maitre ishte më i përmbajtur.

"Më përpara e kishim të vështirë të vinim në këtë zonë. Kishim ndotje të tokës, lumit dhe të detit Adriatik. Dua të ju drejtohem qytetarëve që të kontribuojnë në një menaxhim sa më të mirë të mbetjeve. Ne dëshirojmë të mendojmë edhe për masat afatgjata. Ne mezi presim që ti japim një zgjidhje afatgjate dhe zgjidhje rajonale të këtij problem".

Pra, Maitre foli për masat afatgjata, duke iu përmbajtur plotësisht pikave të Marrëveshjes mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Sekretariatit Zviceran, SECO.

Masat afatgjata përfshijnë fuqizimin e kapaciteteve institucionale të bashkisë në Qarkun Berat për menaxhimin e mbetjeve, përgatitja e Planit Rajonal që do të konsistojë në identifikimin e nevojavetë 5 bashkive për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Pas realizimit të këtyre masave, të cilat nuk duket se kanë filluar deri më tani, pritet ndërtimi i landfillit real për Qarkun e Beratit.

Një pikë e fundit e planit “zviceran” është edhe rritja e ndërgjegjësimit të publikut për menaxhimin e mbetjeve.

Por, ndërgjegjësimi qytetar është faza e fundit, pasi vartësit e Ramës në bashkitë e Qarkut Berat të përfundojnë detyrat e tyre, të cilat do t’i hapin rrugë ndërtimit të landfillit.

Ajo që është bërë deri tani, me këmbënguljen e autoriteteve zvicerane, është pastrimi i bregut të Osumit nga fushat e paligjshme të grumbullimit të mbetjeve.