VIDEO- KAFE SHQETO/ Pse nuk e ka Shqipëria një minimum jetik?

Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, ku mbi 40 përqind e popullsisë jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë. Pavarësisht kësaj, Shqipëria nuk e ka akoma një minimum jetik.

KAFE SHQETO në SYRI TV e shtroi këtë temë për diskutim mëngjesin e sotëm. Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca dhe ekspertja e ekonomisë, Suzana Guxholli ishin të ftuara për të diskutuar.

Sipas Erinda Ballancës, miratimi i minimumit jetik është një vendim politik, që reformon të gjithë skemën e ndihmës sociale në vend.

Pavarësisht se ka pasur përpjekje që nga viti 2002 për të miratuar një minimum jetik, kjo gjë nuk ka ndodhur, edhe pse është shumë e nevojshme për të përcaktuar ndihmën ekonomike, por edhe për pensionet dhe kontributet e tjera si në rastin e divorceve.

“Nevoja është e shumanshme dhe ka shumë implikime në jetën e përditshme,” tha ajo.

Por ekspertja Suzana Guxholli tha se Shqipëria nuk e miraton minimumin jetik për shkak se qëndron në krye të Europës për nivelin e varfërisë.

“Niveli i të ardhurave është përcaktues për të matur varfërinë. Por Shqipërisë si vendi më i varfër, nuk i intereson të llogarisë këtë tregues dhe ta zyrtarizojë,” tha ajo.

Nëse do miratohej ky minimum, do të duhet të ndryshohen të gjitha treguesit në buxhet. Guxholli tha se kjo nuk ndodh pasi ne jemi vendi që jep më pak të ardhura për të zbutur varfërinë.

Ndiqeni më poshtë videon e plotë: