VIDEO/ Kallashnikov, pushkë dhe municion në makinë, prangosen dy 17-vjeçarë

Policia e Durrësit ka prangosur në flagrancë 2 shtetas 17-vjeçarë, të cilët qarkullonin me armë zjarri në makinë.

Atyre u është sekuestruar 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë, municion luftarak si dhe automjeti me të cilin po qarkullonin.

''Shërbimet e Policisë mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.17, Durrës, në rrugën "Vllazërimi", kanë ndaluar mjetin tip "Benz" e cila dispononte targa të një automjeti tjetër, me drejtues shtetasin M. A., (i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi) dhe pasagjer shtetasin E. N. Gjatë kontrollit të kryer në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 1 krëhër me 10 fishekë, 1 pushkë si dhe automjetin me të cilin këta shtetas po lëviznin. Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë për veprat penale "Drejtimi mjetin në mënyrë të parregullt" dhe "Armëmbajtja  pa leje" shtetasin M. A., 17 vjeç dhe për veprën penale "Armëmbajtja pa leje" shtetasin E. N., 17 vjeç.'' - njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.