Çantën plot me euro/ Kush e spiunoi dhe si u kap biznesmeni me pistoletë

Policia e Shkodrës ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e biznesmenit Isuf Isufi mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Perash”.

Policia thekson se 49-vjeçari u arrestua bazuar te informacionet në rrugë operative, se po lëvizte me armë zjarri.

Pasi e lokalizuan, shërbimet e policisë të forcës së posaçme “Shqiponja” ndërhynë duke e ndaluar dhe gjatë kontrollit i gjetën një armë zjarri pistoletë në çantën e dorës me euro.

Biznesmeni, banues në lagjen “Ajasëm”, është prangosur dhe tashmë do të përballet me akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Isuf Isufi disa vite më parë ishte edhe zv/president i Vllaznisë. Ai është vëllai i Hasan Isufit, i cili në prill të vitit 2020, plagosi një person.

Ja njoftimi:

Shkodër 

Vijojnë kontrollet e befasishme për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete. 

Qarkullonte me armë zjarri me vete në qytet, vihet në pranga 49-vjeçari. 

Sekuestrohet arma zjarrit dhe një shumë e konsiderueshme lekësh. 

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj vijojnë kontrollet e befasishme në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim kapjen e personave me precedent kriminal, personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete. 

Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një person qarkullonte në qytet me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Lagje Perash”, kanë ndaluar shtetasin I. I., të cilit gjatë kontrollit i gjetën një armë zjarri pistoletë. 

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. I., 49 vjeç, banues në lagjen Ajasëm, Shkodër, për veprën penale "Armëmbajtja pa leje". 

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.