Ujiste fidanët e kanabisit të mbjella në tokën e tij, arrestohet 44-vjeçari

Policia e Beratit njofton se ka kryer disa arrestime gjatë orëve të fundit.

Në prangat e policisë ka rënë edhe një 44-vjeçar, që dyshohet se po kultivonte lëndë narkotike, e mbjellë në tokën e tij.

Njoftimi i policisë:

DVP Berat

Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Evidentohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Skrapar, arrestohet autori i dyshuar i tentativës për kultivim.

Kuçovë, procedohet penalisht Kryetari i Fshatit dhe Ispektori i Shërbimit Pyjor, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shërbimet e Policisë së DVP Berat, në bazë të informacioneve të siguruara si dhe në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Vërzhezhë, Skrapar dhe në fshatin Mëndrakë, Kuçovë fidanë të dyshuara bimë narkotike cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar, arrestuan në flagrancë shtetasin A.M., 44 vjeç, banues në Vërzhezhë, pasi u kap nga shërbimet e policisë, duke ujitur fidanët të dyshuara bimë narkotike cannabis sativa, të cilat ishin të mbjella pranë tokës së tij.

Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë, proceduan penalisht shtetasit  Sh.K., 62 vjeç, me detyrë Kryetar i fshatit Mëndrakë, Kuçovë dhe K.B., 51 vjeç, me detyrë Inspektor i Shërbimit Pyjor, pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale "Shpërdorim detyre".

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.