Fotografi i ‘Reuters’ vritet nga talibanët

Danish Siddiqui, fotografi i “Reuters” që fitoi një Çmim Pulitzer për ekspozimin e dhunës me të cilën përballen refugjatët Rohingya, është vrarë në përleshjet pranë Kandahar, në Afganistan .

Siddiqui ishte fotografi kryesor i agjencisë së lajmeve në Indi, me qendër në Mumbai. 

“Reuters” raportoi vdekjen e Siddiqui të premten, duke cituar një komandant Afgan i cili tha se ai ishte vrarë ndërsa po dokumentonte luftimet midis forcave afgane të sigurisë dhe luftëtarëve Talibanë .

 

Komandanti tha se forcat speciale afgane kishin luftuar për të rimarrë një zonë tregu pranë një kalimi kufitar me Pakistanin kur Siddiqui dhe një oficer i lartë afgan u vranë.

Reuters njoftoi se Siddiqui ishte bashkuar gjatë javës së kaluar me forcat speciale afgane dhe se ai informoi agjencinë e lajmeve se ai ishte plagosur në krah gjatë një përplasjeje të hershme të premten. 

Agjencia e lajmeve tha se "nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur detajet e luftimeve të përshkruara nga zyrtari ushtarak afgan".

"Ne po kërkojmë urgjentisht më shumë informacion, duke punuar me autoritetet në rajon," tha presidenti i Reuters, Michael Friedenberg dhe kryeredaktorja Alessandra Galloni në një deklaratë në Twitter.

"Danish ishte një gazetar i shquar ... një burrë dhe baba i përkushtuar dhe një koleg shumë i dashur. Lutjet tona janë me familjen e tij në këtë kohë të tmerrshme," shtuan ata.

Siddiqui ishte fotograf për Reuters që nga viti 2010, duke dokumentuar luftërat në Irak dhe Afganistan, protestat në Hong Kong dhe duke marrë detyra në Indi që varionin nga festimet fetare deri në betejën e vendit kundër koronavirusit.

Ai ishte pjesë e një ekipi të Reuters që fitoi Çmimin Pulitzer 2018 për punën që mbulonte refugjatët Rohingya të cilët po iknin nga Mianmar.