Përgjimet e SPAK/ Si u përmend Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu

Përgjimet e bisedave në dosjen që çoi në pranga zv.Ministren e Brendshme Rovena Voda janë vetëm nga telefonat e Florida Beut dhe të Majlinda Hasanit. Dy gratë flasin me njëra-tjetrën për 1 mijë eurot, për celularin Samsung dhe për arkën me peshk me shpresën se do të kapin një vend pune në administratën publike.

Telefoni i numrit dy të Ministrisë së Brendshme, Rovena Vodës nuk rezulton të jetë përgjuar, megjithëse ajo ishte njësoj protagoniste e aferës së korrupsionit, kur i premtoi një vend pune Florida Beut.

Në anën tjetër, prokurorët e SPAK pranojnë në dosje se Rovena Voda nuk kishte kompetenca direkte për të ndikuar në konkursin për një vend pune në administratë. Pikërisht këtu hyn në lojë një personazh tjetër, që përmendet në bisedat e përgjuara dhe që quhet “Albana”.

Roli i saj, sipas të përgjuarave, është të informojë se ku janë vendet bosh në administratë dhe më pas të japë përgjigjet e pyetjeve në provim. Dyshimet janë se bëhet fjalë për Albana Koçiun, Drejtoreshën e Departamentit të Administratës Publike.

“Albana” është emri që përmendet disa herë në bisedat telefonike, si personi potencial që do të merrte ryshfet bashkë me Rovena Vodën.

Nga bisedat e Florida Beut me nënën e saj, kuptohet se “Albana” do të shpërndajë përgjigjet e testit të provimit Rovena Vodës dhe kjo e fundit do t’ia kalojë aplikantes, në këmbim të ryshfetit. Nënë e bijë thonë se edhe “Albana” do të marrë para.

Nërënxa: Ty të pëlqen aty?
Florida: Po, po mami se futesh në ministri, është gjë e madhe të futesh në ministri dhe me DAP, me DAP është ajo që të regjistron, futesh me provim ti, bën provimin, pyetjet t’i jep se do t’i jap kafen unë, ajo Albana që mori ajo në telefon edhe po u fute aty pastaj se atë tha edhe ajo Rovena mjafton të fusi këmbët se pastaj pas një viti e rrisim në post po vetëm të futet se unë po të kasha mundësi e fusja te kabineti im tha!
Nërënxa: Po pse?
Florida: Po është ky ministri se janë kështu kto mami, hahen me njëri-tjetrin e kupton? Unë do marr Albanën se Albana është shefja, di ku ka vende pune në ministri ajo i vë se mori në telefon atë e la për dje në ora dhjetë dhe tani prandaj nuk du me ju nda unë.
Florida: Tani duhet nai lek me i dhënë asaj Albanës.
Nërënxa: Epo kjo si t’ia bëjmë.
Florida: S'e di po më rrin mendja aty.
Nërënxa: Mos ju ndaj Emirjanit o gocë më duhen.
Florida: Po duhen pagujt ato.

Në një bisedë tjetër, mes dy të përgjuarave del sërish emri i “Albanës”, e cila përflitet si bashkëpuntore e Rovena Vodës.

Majlinda: Mos do ikshim të takoshim këtë Albanën.
Florida: Ose takoje tha, ose hajdeni në Tiranë tha, flasim.
Majlinda: Ashtu do e bëjmë, nga darka nga ora pesë i vemi te zyra neve edhe i themi shko po qe se ajo futet në ministri në një vend pune të mirë nuk e lejmë me kaq, mirë.
Florida: Po.

Nga bisedat e tjera, del se Rovena Voda u kërkon dy grave t’i japin ryshfet edhe “Albanës”, por më pas ndryshon mendim dhe lë të kuptohet se të gjitha do t’i mbajë për vete. 

Në përfundim të këtij pazari, Florida Beu aplikoi në 11 vende pune sipas këshillave të zv.Ministres së Brendshme, por ajo nuk fitoi asnjë konkurs. Prokurorët kanë faktuar ryshfetin me zarfin 1 mijë euro, celularin Samsung dhe një arkë me peshk në formë dhurate për zv.ministren, por nuk kanë shkuar më tej për të zbuluar lidhjet e mëtejshme të zv.ministres.

A i mashtroi Rovena Voda dy gratë apo ajo ishte pjesë e një skeme korrupsioni bashkë me shefen e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiun?

Do të kishim një përgjigje edhe nëse telefoni i Rovena Vodës do të ishte përgjuar, por ka ardhur një moment në hetime që prokurorët e SPAK janë ndalur. Sepse disa peshq janë pak të mëdhenj për rrjetën e SPAK./Lapsi.al