VIDEO/ Qiraxhi: PS përdori asetet publike për fushatë, një kandidate mbajti fjalim në shkollë

Përfaqësuesi i “Qëndresës Qytetare”, Migen Qiraxhi, në një intervistë me gazetaren Armela Ferko në Syri Tv, deklaroi se janë monitoruar raste, kur PS ka përdorur asetet publike për fushatën.

Qiraxhi thekson se në një rast, kandidatja e PS-së në qarkun e Kukësit, Greta Duraku ka përdorur një ambjent shkollor për fushatë, gjë që është e jashtëligjshme.

“Ne sot kemi marrë vendimin e KAS-it, që urdhëron Komisionin Shtetëror që të hetojë edhe njëherë zgjedhjet. Nuk është bërë një hetim i thelluar. Komisioneri është mjaftuar me vetëm një deklaratë. Në një shkollë në Shën Mëri në Kukës, shkollat janë përdorur për fushatë. Ne kemi monitoruar kandidatët gjatë fushatës, ne kemi bërë tetë kallëzime dhe pesë janë rrëzuar. Në Kukës, kandidates Greta Duraku i është vënë në dispozicion një shkollë, gjë që është e jashtëligjshme.

Madje, fotot nga klasa në Kukës janë publikuar nga vetë kandidatja. Ata pretendojnë se kanë përdorur një pronë private, por tentuan të fshehin dërrasën e zezë, kjo gjë duket në foto. Kemi shkeljen e përdorimit të aseteve publike haptazi. Edhe fakti që kanë thënë se nuk kanë qenë në klasë, është shkelje. Ne duam të zbatohet ligji. Ne kemi denoncuar raste edhe në Tiranë, në Shkodër dhe Kukës, ku fushatat janë bërë në shkolla, në biblioteka etj. Ne si “Qëndresa Qytetare” duam që ligji të zbatohet me vendosmëri. Për rastet që kemi denoncuar, nuk ka pasur hetim të thelluar”, deklaroi Qiraxhi.