Helmimi në Deçan, një 13-vjeçare shtrohet në spitalin e Pejës

Një 13-vjeçare nga Deçani është nisur me urgjencë në Spitalin e Pejës për trajtim.

Kjo pasi ajo dyshohet se është në mesin e personave të helmuar në Deçan. Doktoresha në Klinikën e Pediatrisë, në Spitalin e Pejës, Myrvete Blakaj ka konfirmuar për Express, se gjendja e fëmijës është duke u përmirësuar.

“Ka ardhur në gjendje më të rëndë pak më parë. Tani gjendja e saj është më e mirë. Është dehidratuar”, ka thënë ajo.

Aktualisht në këtë Klinikë trajtim mjekësor janë duke pranuar edhe pesë fëmijë të tjerë, të gjithë nga Deçani. “Për shkak të helmimit, të shtrirë në Klinikë, aktualisht duke u dehidratuar janë edhe pesë fëmijë të tjerë. Të gjithë janë nga Deçani”, ka thënë më tutje ajo.

Ndërsa zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti ka konfirmuar se nga e shtuna 94 pacientë kanë kërkuar trajtim mjekësor në këtë spital. Aktualisht, sipas tij pesë persona janë në spital. “Sipas raportit zyrtar, nga e shtuna në Spitalin e Pejës, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 94 pacientë që janë helmuar në Deçan. Aktualisht pesë raste i kemi në spital. Gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ai. Ndërkohë nga e shtuna mbi 2 000 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas helmimit në Deçan.

Edhe pse fillimisht dyshohej se shkaktar i helmimit ishte uji, sipas rezultateve të IKSHPK-së, uji nuk ka qenë i kontaminuar.

Zyrtarisht ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar helmimin tek banorët e Deçanit.