Panariti: Çfarë mund ta ketë shkaktuar helmimin masiv në Deçan

Nga Prof. Dr. Edmond Panariti, akademik.

Çfarë mund ta ketë shkaktuar helmimin masiv të banorëve të Deçanit në Kosovë? Përse kërkohet të zbulohet sa më parë shkaku?

Përse një këshill shkencor kombëtar me mikrobiologë, kimistë, toksikologë dhe epidemiologë nga të dy anët e kufirit, është një domosdoshmëri urgjente?

Përse rasti është serioz dhe a mund të jetë edhe i qëllimshëm?

Trishtim, por edhe shqetësim i madh për helmimet e banorëve të Deçanit në Kosovë. Ngushëllime për familjet e viktimave dhe shërim tw shpejte te prekurve!

Kërkohet zbulimi sa më parë i burimit dhe i shkakut të infeksionit. Burimi hipotetik më bindës duket se është uji i rrjetit. Shkaku i helmimit është biologjik ose kimik, ose që ka shumë pak të ngjarë, një shkak i përzjerë (hibrid) kimik dhe biologjik .

Përvoja e gjatë si toksikolog më bën të mendoj se ndotësit më të zakonshëm kimikë të ujit të rrjetit janë nitratet dhe metalet e rënda kryesisht arseniku, por edhe zhiva dhe kromi gjashtë valent.

Prandaj kërkohen urgjent analiza spektrometrike për zbulimin e tyre me cross- check nga laboratorët e Tiranës dhe të Prishtinës dhe njëkohësisht një mostër të dërgohet në një qendër Evropiane të referencës.

E njëjta procedurë edhe nga laboratorët mikrobiologjikë të dy vendeve për të zbuluar virusin, bakterin apo biotoksinën nëse bëhet fjalë për ndotje biologjike.

Së bashku më treguesit e tjerë klinikë dhe bio kimikë këto të dhëna do të zbulojnë shkakun, që do të bëjë të mundur ndërprerjen e burimit dhe marrjen e masave mbrojtëse dhe parandaluese.

Kjo është prova e zjarrit për institucionet e fushës dhe ekspertizën kombëtare.