Karteli i kokainës/ SPAK: Të konfiskohet hoteli i vëllezërve Marku

Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka përfunduar hetimin pasuror për dy vëllezërit e akuzuar nga Italia si grosistë të kokainës në Europë dhe ka zbuluar se ata zotëronin një hotel në Kanalin e Çukës në Sarandë dhe një njësi në Tiranë-për të cilat kërkohet konfiskimi.

Nga BIRN

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të mërkurën se ka kërkuar konfiskimin e një hoteli dhe një trualli në Sarandë si dhe një njësi shërbimi në Tiranë, të cilat dyshohet se i përkasin Armand dhe Gerti Markut- dy vëllezër të kërkuar nga Italia për trafik ndërkombëtar kokaine.

Në fund të hetimit pasuror sipas ligjit ‘Antimafia’, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të konfiskojë hotelin ‘Harbour’ në zonën turistike të Kanalit të Çukës në Sarandë si dhe një njësi shërbimi në rrugën ‘Don Bosko’ në Tiranë, e blerë në vitin 2017 për 105 mijë euro.

Vëllezërit Marku akuzohen nga Prokuroria e Firences në Itali se janë pjesë e kartelit të parë shqiptar të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, e njohur si ‘Kompania Bello’ e drejtuar nga Dritan Rexhepi. Ata i shpëtuan operacionit policor me emrin e koduar ‘Los Blancos’ në shtator 2020 dhe ndodhen në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Interpol Romës.

Sipas njoftimit të SPAK, hoteli i sekuestruar në Sarandë dhe njësia e biznesit në Tiranë zotëroheshin nga familjarë apo të afërm të Armand dhe Genti Markut dhe nuk provohet se këto pasuri kanë prejardhje të ligjshme.

‘…nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme,’ thuhet në njoftimin e SPAK.

Në një investigim të publikuar në shkurt të këtij viti, BIRN zbuloi se karteli i njohur si ‘Kompania Bello’ është i shtrirë në Amerikën e Jugut, Europë dhe Ballkan dhe realizon xhiro vjetore prej qindra milionë eurosh përmes trafikimit të kokainës.

Sipas hetuesve italianë, vëllezërit Marku janë një fraksion i këtij karteli dhe furnizues të mëdhenj të kokainës në Europë.

Duke u bazuar nga bllokimi në një rast në Holandë i 1.4 milionë eurove që i përkisnin xhiros për shitjet ditore të drogës, prokurorët e Firences vlerësojnë se ata qarkullonin të paktën 50 kilogramë në javë dhe arrinin një xhiro vjetore prej 70.2 milionë eurosh. Në realitet, qarkullimi mund të jetë edhe më i madh, pasi në hetim theksohet se kishte ditë që i njëjti grup shiste deri në 50 kilogramë kokainë me 27,000 euro/kg.

‘Duke qenë se hetimi ka fotografuar fenomenin kriminal që lidhet me vëllezërit Marku-nga viti 2014 deri në arrestimin e Gerti Markut në prill 2017, vlerësohet se organizata ka qenë aktive për të paktën 3 vjet,’ thekson Prokuroria e Firences.

‘Fitimi i përgjithshëm që mund të përllogaritet për kohën kur ekzistenca e grupit kriminal është monitoruar është 210 milionë euro,’ citohet Prokuroria e Firences.