Cironkat në rrjetë!... Po peshqit e peshkaqeni, kur?

Këto në ditë në Kubë ka trazira të pazakonta; shumë analistë mendojnë se ky është fillimi i fundit të një regjimi autoritar. Qëndrimet e aktorëve globalë vendimmarrës janë diametralisht të kundërta. Ja se çfarë shkruan një gazetar kubanez disident, në shkrimin me titull "Fideli iku, por Fidelizmi ka mbetur": "Fidelizmi është më shumë se një individ dhe klani i tij. Është një mënyrë e menaxhimit të politikës, kontrollit të medieve, menaxhimit të ekonomisë përmes ushtrisë, përcaktimit të programeve mësimore që ndiqen në arsim, mënyrë e kryerjes së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe strukturimit të propagandës ideologjike. Rezultatet, sipas kësaj mënyre të të kuptuarit të botës kanë qenë "vullnetarizmi, joefikasiteti dhe intoleranca". Ndërsa në Shqipëri SPAK ka filluar këto të ditë të veprojë për “korrupsion me tenderët”; perceptimi qytetar është pozitiv e mbështetës por ende skeptik duke shtruar pyetjen: dakord me cironkat po bien në rrjetë...! Po peshqit e mëdhenj dhe më konkretisht peshkaqeni a do të kapen? Kur do të ndodhë kjo...?

1. Korrupsioni dhe lidhjet e qeverisë me krimin e trafiqet shkojnë përtej Kryeministrit dhe kupolës, shokëve e miqve të tij të ngushtë...Qeverisja e korruptuar dhe e lidhur ngushtë me krimin e trafiqet ka qenë gjatë të gjithë kohës, pra për mbi 20 vjet, filozofi e qeverisjes dhe marrjes e forcimit të pushtetit personal. Mënyrë e menaxhimit të politikës. Mënyrë për të vënë nën kontroll biznesin, mediat, shoqërinë civile dhe së fundmi edhe gjyqësorin.  Mekanizmi kryesor për bërë pis politikën e jashtme, veçanërisht atë rajonale, dhe komprometuar ndërkombëtarët në funksion vetëm të forcimit të pushtetit personal e klientelist.

2. Rezultatet kryesore të kësaj qeverisjeje kanë qënë promovimi i së  keqes si model suksesi, promovimi i medokritetit dhe goditja e aftësisë dhe ndershmërisë. Pasurimi i oligarkëve të politikës, biznesit e medias dhe varfërimi ekstrem e nënshtrimi i qytetarëve. Servilizmi ekstrem ndaj të fortëve dhe detyrimi i shqiptarëve për të emigruar; si dhe zëvendësimi i tyre me emigrantë lindorë. Keqpërdorimi i medias dhe gjyqësorit si mjet nënshtrimi dhe për gjueti shtrigash kundër opozitës e kundërshtarëve politikë e mediatike.

3. Rezultatet madhore të kësaj filozofie qeverisjeje kanë qenë shkatërrimi i pluralizmit dhe demokracisë. Shkatërrimi përfundimtar i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dëmtimi i shtetit ligjor dhe dhunimi i të drejtave themelore të njeriut. Paralizimi dhe zaptimi i institucioneve kushtetuese dhe kthimi në letra pa vlerë i statutit të partisë, Kushtetutës dhe i legjislacionit bazë.

4. Të gjitha këto rezultate është bërë e mundur të arrihen e madje të paraqiten apo shiten si suksese madhore apo progres i paparë, deri edhe pjesë e raporteve të “sheqerosura” të ndonjë institucioni ndërkombëtar, vetëm duke kthyer partinë, grupin parlamentar, qeverinë dhe disa nga drejtuesit e bashkive kryesore në një bashkësi/bandë mediokrish të rëndomtë, manekinësh servilë, sharlatanësh mashtrues, hajdutësh të babëzitur, kriminelësh agresivë dhe komprometuesish e provokatorësh të neveritshëm.

5. Ky është fatkeqësisht një perceptim mbarëkombëtar, rajonal e ndoshta edhe deri global për qeverisjen tonë që askush nuk do ta dëshironte të ishte e tillë...Kjo e vërtetë e hidhur është kthyer gati gati në fatalitet për shqiptarët që të pashpresë po boshatisin vendin duke i bërë shërbimin e radhës së keqes që po bëhet dominuese dhe mbizotëruese dhe duke hequr çdo mundësi për ta zëvendësuar me të mirën...

6. Dhe në fund, por jo e parëndësishme, kjo e keqe kërkon të “martohet” me të mirën, të bashkëqeverisë me të mirën pavarësisht retorikës mashtruese për bashkëveprim apo bashkëpunim për të mirën e shqiptarëve, të ardhmen europiane të vendit. Dhe turpërisht kjo “martesë” paraqitet e promovohet nga media mjerane e së keqes si “sugjerim” i miqve tanë ndërkombëtarë, dhe shpesh e shoqëruar më kërcënimin për të hequr qafe të gjithë luftëtarët e kundërshtarët e së keqes e të kësaj “martese” të pamundur, madje duke shkuar shumë larg që betejën e tyre kundër së keqes ta paraqesin si “bashkëpunim” me armiqtë e demokracisë...?!

7. Qytetarët në shumicë mbështesin veprimet e SPAK por i konsiderojnë të pamjaftueshme veprimet e tij: dakord që cironkat po bien në rrjetë; po peshqit e mëdhenj e veçanërisht peshkaqeni a do të kapen? Dhe kur do të ndodhë kjo?