Nga Tepelena në Lushnjë për të vjedhur kamionçina, njëri kishte thyer arrestin shtëpiak

Policia e Lushnjës ka arrestuar dy persona për vjedhje kamionçinash në fshatrat e kësaj bashkie, Andi Orucai dhe Mariglen Kondi, për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Të dy hajdutët me banim në Tepelenë, njeri 19 vjeç dhe tjetri 25, kishin vjedhur një makinë tjetër për të grabitur një kamionçinë në fshatin Eskaj të Lushnjës.

Policia e Lushnjës  mori njoftim në orët e para të mëngjesit nga banori I fshatit Eskaj, N. K, se i kishin vjedhur kamionçinën “Ford Tranzit” që e kishte të parkuar ndaj u vu në ndjekje të dy autorëve të dyshuar, arriti ta bllokojë mjetin e vjedhur dhe një tjetër që hajdutët kishin përdorur dhe u vuri prangat të dyve.

Andi Orucai, 19 vjeç, banues në Tepelenë, ishte i dënuar më parë për veprat penale "Vjedhja" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve"; 

Mariglen Kondi, 25 vjeç, banues në Tepelenë, ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpie" për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike". 

Mirëpo rezultoi se të dy ishin edhe autorë të vjedhjes së 3 kamionçinave të tjera,  konkretisht në datën 24 shkurt 2021 në fshatin Hysgjokaj, në datën 26 mars 2021 në fshatin Gjuzaj dhe në datë 8 maj 2021, në fshatin Konjat.   

Por hetimet vazhdojnë për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Fierit, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.

Tashmë ata akuzohen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.