Kosova nuk mund të kryejë teste për të zbuluar variantin Delta

Kosova nuk mund të kryejë teste për të detektuar rastet eventuale me variantin Delta, pasi për këtë nuk ka reagenca, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dërguar Radios Evropa e Lirë. Këto teste, ministria i dërgon në Berlin.

Reagenca është substancë që ndikon në kryerjen e një reaksioni apo analize dhe një procedurë e tillë kërkon pajisje, ekspertizë, ambient dhe infrastrukturë të veçantë.

Më 29 qershor, Kosova regjistroi dy raste me variantin Delta të koronavirusit, variant ky që po përhapet me shpejtësi në mbarë botën. Rezultatet e testeve për këtë variant ishin bërë në Berlin.

Për dallim nga Kosova, shtetet fqinje, siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhdimisht përcjellin përhapjen e variantit Delta.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në tetorin e vitit të kaluar në Indi, ka shkallë më të lartë të infektimit për 50-60 për qind më e lartë se variantet tjera, duke prekur edhe moshat më të reja.

Skender Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Bullgari, tha për Radion Evropa e Lirë, se vaksinimi i qytetarëve, në këtë kohë kur po përhapet varianti Delta, është shumë i rëndësishëm.

Ai shtoi se Kosova duhet të ngre kapacitetet, në mënyrë që testet të jenë të përditësuara, varësisht prej zhvillimit të situatës epidemiologjike dhe shfaqjes së varianteve të reja të COVID-19. Ai po ashtu tha se hapa të tjerë epidemiologjikë duhet të ndërmerren gjatë gjithë fazave të pandemisë.

“(Hapat që duhet të ndërmerren janë) Identifikimi i hershëm i rasteve, izolimi i tyre, mbajtja e distancës fizike apo sociale në momentet kur identifikohet se ka shpërndarje të virusit. Sa u takon testeve, secili vend bën numër të testeve në bazë të resurseve që ka në dispozicion, në bazë të kapaciteteve dhe nevojave. Mirëpo, është një fatmirësi që tash ka edhe rrjete ndërkombëtare, ku edhe nëse nuk mund të bëhet sekuencimi i testeve në vendin përkatës, mostrat mund të dërgohen edhe në vende të tjera”, tha Syla.