I treti/ Në kërkim nga policia, arrestohet inspektori i IMT-së, akuza që rëndon ndaj tij

Policia e Sarandës ka ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim, pasi gjykata i ka vendosur masën e arrestit me burg.

Policia ka arrestuar shtetasin Melseid Nelaj, 36 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Himarë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi i policisë:

Specialistet e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore te? Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin M. N., 36 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Himarë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit R. H. dhe E. Z. (të arrestuar më parë) dhe Dh. B. (i shpallur në kërkim), punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë, gjatë muajit maj ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e bashkisë Himarë.