Izraeli ofron dozën e tretë të vaksinës për të rriturit në rrezik

Izraeli tha të dielën se do të fillojë të ofrojë dozën e tretë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, për të rriturit me sistem të dobët imunitar.

Përhapja e shpejtë e variantit Delta të koronavirusit ka rritur rastet në Izrael gjatë muajit të kaluar, nga numra njëshifrorë në rreth 450 në ditë.

Ministri i Shëndetësisë i Izraelit, Nitzan Horowitz, tha se të rriturit me sistem të dobët imunitar, që kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, mund të marrin edhe dozën e tretë përforcuese.

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech - furnizueset kryesore të Izraelit me vaksina - thanë të enjten se do të kërkojnë nga rregullatorët shëndetësorë në SHBA dhe Evropë që të autorizojnë dozën e tretë përforcuese.

Dy kompanitë përmendën një rrezik në rritje të infeksionit gjashtë muaj pas imunizimit me dy doza, shkruan Rel.

Edhe pse shkaktuan kritika nga disa shkencëtarë dhe zyrtarë, ato nuk i ndanë të dhënat që tregojnë për atë rrezik, por thanë se së shpejti do të bëhen publike.

“Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje dhe ende nuk kemi përgjigje përfundimtare”, tha Horowitz.

“Në çdo rast, ne po administrojmë tani dozën e tretë për njerëzit që vuajnë nga mungesa e imunitetit”, shtoi ai.

Rreth 5.7 milionë njerëz nga popullsia 9.3-milionëshe e Izraelit kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Sipas autoriteteve shëndetësore atje, rreth gjysma e 46 pacientëve që janë në gjendje të rëndë dhe të hospitalizuar në Izrael, janë të vaksinuar.

Shumica e tyre thuhet se janë nga grupet e rrezikut.

Udhëheqësi i Departamentit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë në Izrael, Sharon Alroy-Preis, tha se autoritetet nuk do të nxitojnë për t’i dhënë doza përforcuese publikut të gjerë.