Tenderi uniformave, në hetim zyrtarë të tjerë/ Prokuroria po verifikon dokumentacionin

Prokuroria e Posaçme po verifikon rolin e disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të tjerë të ministrisë së Brendshme në lidhje me procedurat abuzive të tenderit të uniformave të Policisë. Pas vënies në arrest të 9 zyrtarëve të shtunën, SPAK  është duke verifikuar në bazë dokumentacioni edhe rolin e zyrtarëve të tjerë.

Nga SYRI TV

Prokuroria e Posaçme SPAK është duke verifikuar një sërë zyrtarësh të tjerë të Ministrisë Brendshme për shkeljet me tenderin e uniformave të Policisë që ka vënë deri më tani në pranga 8 persona dhe një tjetër në arrest shtëpie.

SPAK po verifikon në bazë dokumentacioni dhe ka në hetim dosjen për të cilën deri më tani ka ngritur vetëm akuzën e shkeljes së barazisë në tender duke akuzuar Edlira Naqellarin dhe 8 zyrtarët e tjerë anëtarë të komisioneve që dhanë dritën jeshile për kompaninë që doli fituese.

Procedura e tenderit zgjati tej afateve ligjore, ndërsa mësohet se zyrtarët kanë përshtatur kriteret me ofertën e kompanisë fituese dhe më tej kanë ndërhyrë në specifikimet e uniformës së punonjësve të Policisë, duke shpallur fituese për tenderin që kapte vlerën e 27 milionë eurove një kompani që nuk plotësonte kriteret

SPAK vlerëson se zyrtarë dhe ish zyrtarë të tjerë mund të kenë dijeni dhe mbajnë përgjegjësi për paracaktimin e fituesit, duke bërë verifikime në bazë dokumentacioni dhe kompetence në nivele më të larta.