EMRI-FOTO/ The Sun: Vrasësi shqiptar deportohet më në fund drejt Shqipërisë

Tabloidi i njohur britanik The Sun ka shkruar rreth një shqiptari të quajtur Selami Çokaj 47 vjeç, që është dëbuar më në fund, sipas medias në fjalë, nga territori britanik.

Selami Cokaj fluturoi për në Britani pasi u arratis nga burgu në Shqipëri ku ishte burgosur për vrasjen me thikë të një burri në vitin 1994.

Pasi u zbulua, ai u deportua përsëri në Shqipëri në 2009 por u  zbulua se si ai ishte fshehur përsëri në MB në 2015.

 Ai më pas drejtoi biznese dhe jetoi një jetë jo “nën frikë” në Leicester.

Tani pas gjashtë vjetësh, 47-vjeçari është deportuar në Shqipëri.

Mediat britanike shkruajnë se ky rast është një fitore e Ministres të Brendshme të Britanisë në detyrë, Priti Patel , e cila së fundi nënshkroi në Tiranë një marrëveshje riatdhesimi me Shqipërinë, për kriminelët dhe azilantët që kanë dështuar në kërkesat e tyre për qëndrim në ishull.

Britania është duke përgatitur një projektligj të ri mjaft të ashpër për Nacionalitetin dhe Kufirin i cili parashikon dënime shumë të ashpra për trafikantët e qenieve njerëzore, por edhe deportimin sa më të shpejtë dhe të lehtë të atyre që kërkojnë azil kur kërkesat e tyre refuzohen.

Shqetësim për Londrën mbetet krimi i organizuar shqiptar dhe deri më tani sipas medias janë deportuar në Shqipëri mbi 250 kriminelë të dënuar. Shqiptarët janë grupi më i madh ndër të huajt nëpër burgjet britanike ku në total ata përbejnë 16 për qind të të gjithë të huajve nëpër këto burgje.

Shifrat më të fundit tregojnë se shqiptarët nëpër burgje janë dyfishuar nga 876 në gusht të 2019 në 1574 në mars të këtij viti.

Britanisë i kushton tmerrësisht shumë mbajtja e një të burgosuri në qeli dhe andaj kanë nënshkruar marrëveshje me disa vende për dërgimin e të burgosurve në shtete e tyre për të vuajtur dënimin, siç kanë bërë edhe me Shqipërinë.