Mori 17-vjeçaren në motor dhe e la të vdekur në det, i riu mund t’ia hedhë me një gjobë

Indrit Bajraktari, djali që u bë protagonist me ngjarjen e ndodhur më datë 19 gusht 2020, ku pasi mori në motor 17-vjeçaren nga Tirana Enisa Doda, kjo e fundit ndërroi jetë në det, tashmë do gjykohet me një akuzë më të lehtë.

Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të mbyllë hetimet për këtë ngjarje të rëndë,duke marë të pandehur Indrit Bajraktarin për akuzën e “Vrasjes nga pakujdesia” dhe jo për veprën penale të “Vrasjes me dashje”,  ashtu siç policia kishte deklaruar se do ndiqej i riu fillimisht. Me këtë akuzë, Bajraktari rrezikon dënim duke nisur nga gjoba deri në 5 vjet burg. Prokurorja e çështjes, vendosi të pushojë dhe akuzën e “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” për Bajraktarin, pasi sipas saj nuk ekziston fakti.

Ndryshim i akuzës për Indrit Bajraktarin, është bërë nga prokurorja e çështjes, Franceskina Lekani, e cila në dosjen penale thotë se Bajraktari ka ‘besuar se vajzës nuk do i ndodhte ngjarje kriminale në det’.

Më tej në dosjen penale prokurorja thotë se gjatë shëtitjes në det me motor, kur kanë arritur në një distancë rreth 1200 metër larg nga bregu i detit, Indrit Bajraktari, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe së bashku me vajzën janë rrëzuar,duke rënë në ujë.

Dosja në ngarkim të Bajraktarit është në gjykim dhe në ditët në vazhdim gjyqtari Hasan Selimi, të marrë një vendim për dënimin ose jo të djaloshit. Një dëshmitar ka deklaruar se Indrit Bajraktari i kishte thënë se Enisën e kishte djalë xhaxhai, ndërsa më tej ka ndryshuar këtë variant.

Vajza 17-vjeçare, Enisa Doda, u gjet e mbytur në orët e para të mëngjesit të datës 20 gusht 2020, rreth 1200 metra larg nga bregu.

Sipas peshkatarit Sabedin Sula, që konstatoi trupin e pajetë mbi ujë, adoleshentja kishte në qafë të varur çelësin e motorit të ujit, që kishin marrë me qira së bashku me Indrit Bajraktarin.

Djali i sapoardhur nga Anglia, e ka ftuar vajzën të bënin një xhiro me motor uji, dhe për këtë i janë drejtuar një pike biznesi që jep motorë me qira, dhe që zotërohet nga Ditmir Harusha në Velipojë.