'Shqipëria pas Kolumbisë', Këlliçi: Sundimi i ligjit dhe rivendosja e demokracisë, parimet dhe misionet e PD

Kryetari i FRPD-së dhe njëherazi deputet i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Belind Këlliçi i është rikthyer raportit të zi për Shqipërinë të publikuar dje nga World Justice Project, i cili e rendit vendin tonë pas Kolumbisë, për sa i përket sundimit të ligjit dhe korrupsionit.

‘Korrupsioni mbetet një problem shqetësues për vendin tonë, ku renditemi në vendin e 100 nga 128 shtete dhe të tretët nga fundi në rajon. Jo vetëm në këtë raport, por të gjitha institutet që studiojnë korrupsionin shprehen të shqetësuara në lidhje me situatën në Shqipëri vitet e fundit’, shkruan Këlliçi në Facebook.

Gjithashtu deputeti Këlliçi ka theksuar se ‘sundimi i ligjit dhe rivendosja e demokracisë janë parimet dhe misionet e partisë tonë, dhe jo propaganda e përditshme që gatuhet nga zyrat e PS’.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Në raportin e publikuar dje, World Justice Project e rendit Shqipërinë të 78-n nga 128 vende sa i takon sundimit të ligjit, madje 4 vende pas nga raporti i fundit. Ndërkohë Kosova renditet në vendin e 54, e cila e fitoi pavarësinë vetëm 13 vjet më parë.

Korrupsioni mbetet një problem shqetësues për vendin tonë, ku renditemi në vendin e 100 nga 128 shtete dhe të tretët nga fundi në rajon. Jo vetëm në këtë raport, por të gjitha institutet që studiojnë korrupsionin shprehen të shqetësuara në lidhje me situatën në Shqipëri vitet e fundit.

Është për të ardhur keq edhe fakti se vendi ynë ka rënë në vendin e 77-të nga 128 vende për nivelin e transparencës. Shqipëria, gjithashtu, është e 10-ta nga 13 shtetet e Evropës Juglindore. Sa për rendin dhe sigurinë, Shqipëria renditet e 7-a në rajon, ndërsa për sa i takon zbatimit të ligjit, jemi të 98-ët.

Koha ka treguar se PD ka patur të drejtë kur ka reaguar në lidhje me këto shqetësime, edhe pse Edi Rama dhe socialistët nuk i kanë pranuar kurrë deklaratat e denoncimet tona. Faktet janë fakte. Përtej çdo propagande boshe e suksesi imagjinar të qeverisë Rama, ky është realiteti ynë i dhimbshëm: në këto 8 vjet, Shqipëria ka bërë vetëm hapa pas.

Institucionet e kapura duhet të çlirohen, që sundimi i ligjit të përparojë. Pa sundim të ligjit nuk mund të kemi kurrë balancë të pushteteve.

Sundimi i ligjit dhe rivendosja e demokracisë janë parimet dhe misionet e partisë tonë, dhe jo propaganda e përditshme që gatuhet nga zyrat e PS.

Ju ftoj të lexoni këtë raport, për të kuptuar si është Shqipëria në të vërtetë.