Masat e rrepta anti-Covid/ Edhe rrugëtimi i ‘Flakës Olimpike’ në Tokio do të bëhet pa spektatorë

Pishtari me flakën olimpike ka mbërritur në kryeqytetin e Japonisë, në Tokio, ku pas dy javësh do të nisin Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Ceremonia e mbërritjes së pishtarit ishte e thjeshtë, formale dhe pa tifozë, për shkak të masave të marra prej pandemisë Covid-19.

Ajo u zhvillua në stadiumin olimpik, ku do të organizohet edhe ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike, më 23 korrik.

Organizatorët bënë me dije se flaka olimpike do të kalojë në rrugët e Tokios, por nuk do të ketë spektatorë në rrugë për ta ndjekur e përshëndetur atë.

Siç dihet, dy ditë më parë u mor vendimi që Olimpiada të zhvillohet pa spektatorë, për shkak të pandemisë.

Gjithashtu, gjendja e jashtëzakonshme në qytetin e Tokio është shtyrë deri më 22 korrik, një ditë para fillimit të Olimpiadës.