Arrestimet nga SPAK, Yuri Kim: Kush bën korrupsion me tendera, vjedh edhe popullin amerikan!

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka reaguar me entuziazëm pas arrestimeve të sotme të kryera nga SPAK të 9 zyrtarëve të lartë në ministrinë e Brendshme, të akuzuar për tenderin 2.8 miliard lekë të uniformave të policisë.

Kim thekson në shënimin e shkurtër në Twitter, se të manipulosh apo të abuzosh me prokurimet publike është njësoj si të vjedhësh të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë edhe ata amerikanë, taksat e të cilëve vijnë si ndihmë për vendin tonë.

“Na vjen mirë të shohim veprimet e SPAK kundër Korrupsionit. Abuzimi ose manipulimi i prokurimeve publike është njësoj si të vjedhësh të gjithë qytetarët, (përfshirë qytetarët amerikanë, taksat e të cilëve iu japin ndihmë), për të majmur kuletat e vetes ose të “miqve”. Ky është krim”, shkruan ambasadorja Kim.