Dukuri të frikshme në Kaliforni, formohet tornado zjarri

Në pjesën veriore të Kalifornisë është incizuar një dukuri e rrallë me fuqi të madhe shkatërruese – tornado i zjarrit. Kjo është një ndër shenjat më të reja të motit ekstrem që po e kërcënon perëndimin e ShBA-së.

Zjarret në natyrë në këtë pjesë të Shteteve të Bashkuara janë shkaktuar pas temperaturave rekorde e thatësisë ekstreme. Ndonëse fenomene të rralla, tornado të zjarrit janë parë edhe më herët viteve të fundit në ShBA, shkruan BBC.

Një vorbull rrotulluese me flakë e tym mund të formohet në rastet e motit ekstrem. Një rast i tillë ishte parë në Kaliforni në vitin 2016 dhe një tjetër në Missouri po të njëjtin vit.

Tornadot e zjarrit formohen, kur erërat që sillen ngrohen nga një zjarr në natyrë. Ato më pas ngrihen në qiell për të formuar një lloj shtylle të flakës e tymit që rrotullohen me shpejtësi të lartë.