VIDEO/ Nuk ndalet Uzuni, realizon dopietë në miqësoren e Ferencvarosh

Myrto Uzuni nuk ndalet së shënuari me Ferencvarosh.  Sulmuesi i Kombëtares  shqiptare ka shënuar dy gola ditën e djeshme për skuadrën hungareze që në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e kthimit të turit të parë në Champions ndaj Prishtinës luajti një miqësore.

Kampionët e Hungarisë kanë qenë të pamëshirshëm ndaj Balatonalmadit duke i shënuar 14 gola, nga shtatë për çdo pjesë. Serinë e golave e hapi, Myrto Uzuni, i cili realizoi që në minutën e tretë.

Në të 11-ën Ferencvaroshi dyfishon dhe autori është sërish i njëjti, sulmues beratas, i cili realizoi një supergol nga goditja e dënimit. 26 vjeçari luajti vetëm 30 minuta e para, më pas ka dalë nga fusha për të ruajtur energjitë për transfertën e Prishtinës.

Uzuni nuk arriti të shënojë në ndeshjen e parë, në të cilën Ferencvaroshi e fitoi 3-0 ndaj kampionëve të Kosovës. Sulmuesi i kombëtares ka deklaruar më herët se në rast se shënon ndaj Prishtinës, nuk do të festojë.