A po goditet biznesi?/ Sota: Reduktimi në 30 % e kapacitetit, vrastare! Po zhvendosen klientët drejt resorteve

I ftuar në hapsirën Intervista e Ditës me moderatoren Armela Ferko në SYRI TV, Kryetar i Shoqatës së Bareve Ervin Sota ka komentuar kufizimet ndaj sezonit veror, muzikën me orar dhe paralajmërimet për masat shtesë.

Sota: Vlora është një qytet që mezi e presim sezonin turistik. Gjatë 12 muajve të viti ne mezi presim muajt korrik gusht ku dhe temperaturat janë në ekstrem dhe ne prisnim lehtësime. Pjesa dërrmuese e popullatës e ka kaluar Covid dhe nga ana tjetër vaksinimi është kryer, dhe ne prisnim lehtësime jo shtrëngime. Pas orës 21:00 bizneset fillojnë aktivitetin e tyre. Mbyllja në orën 22:00 është absurde. Po të vish në orën 22:05 Vlora nuk duket si një qytet turistik por si një qytet morti, situata i ngjan një vakie. Këtu nuk dëgjohet më asgjë pasi vjen policia dhe thotë mbylleni muzikën, nuk thotë uleni zërin por fikeni fare. Standardi për sa i përket zhurmës së audios e cila është 65 decibel. Nëse masim zhurmat e rrugës ku kalojnë makinat i kalojnë 85 decibel. Që të lësh një muzikë sotosfond në një qytet turistik është absurde.

Është krijuar një situatë tepër ekstreme. Në Lungo Mare ka bare dhe biznese të ndryshme të cilët e kanë përqëndruar investimin e tyre në këtë profil. Si mund ti thuash këtyre bizneseve që falimentoni tani.

Edhe në takimin që patëm sot me prefektin për të rënë dakort që kjo situatë të ndryshojë për bizneset që janë larg ambienteve të banuara.

Kryeministri gaboi kur mori shembullin se ‘bari i njomë digjet nga bari i thatë’. Mund të ndodhi kudo por smund të djegësh të gjitha bizneset. Policia të veprojë ndaj shkelësve të ligjit. Smund të përdorësh një ngjarje për të bërë shembull të tjerët.

Për shkak të variantit Delta prefekti na lajmëroi nën zë se mund të ketë reduktim të kapacitetit të shërbimit në 30 %. Kjo për të gjitha bizneset e bareve është vrastare dhe sjell falimentin e padiskutueshëm.

Por le ti themi gjërat hapur. E gjitha kjo po bëhet për të zhvendosur të gjithë klientelën në resortet e mëdha.