Rama me të njëjtat probleme si bashkitë/ 150 miliard lekë ‘tenderat në tavolinë’

Kryeministri Edi Rama dhe qeveria duket se kanë më shumë probleme se bashkitë sa i përket procedurës së tenderave. Teksa sot kryeministri kërcënonte kryetarët e Bashkive, rezulton se qeveria gjatë vitit 2020 ka kryer 4500 tendera nga të cilët 416 pa shpallje paraprake. Sipas Komisionit të Prokurimit Publik, tenderat janë fituar kryesisht nga ofertat më të shtrenjta dhe shuma e tenderuar përllogaritet në 150 miliardë lekë.

Nga SYRI TV

Sot kryeministri Edi Rama paralajmëroi kryebashkiakët se do të përballen me pasoja të rënda e me SPAK për tenderat me shkelje që ata zhvillojnë. Por në një kohë që kryebashkiakëve iu dha ultimatum, duket se të njëjtat rregulla nuk vlejnë për vetë kryeministrin dhe institucionet në varësi të tij.

Referuar të dhënave nga Komisioni i Prokurimit Publik gjatë vitit pandemik 2020 qeveria ka zhvilluar mbi 4500 tendera me një vlerë rreth 150 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Komisioni i Prokurimit Publik evidenton në raportin vjetor 2020 se shumica e prokurimeve publike kanë qenë të përqendruara në pjesën e dytë të vitit dhe me fokus kryesisht rindërtimin dhe shëndetësinë, për të përballuar pandeminë.

Të dhënat e detajuara tregojnë se kundrejt vitit 2019 është prokuruar gati dyfishi i shumës, ndërsa numri i tenderave ka qenë më i ulët. Sipas raportit të Komisionit së Prokurimit Publik, vitin e shkuar u rritën të ashtuquajturit “tenderët në tavolinë”, ku nga të dhënat rezulton se kontratat për punët publike, paradoksalisht u fituan nga operatorët që propozuan ofertat më të shtrenjta.

Gjatë 2020-s u kryen 416 procedura me negocim pa shpallje paraprake nga 192 të tilla në vitin 2019. Edhe vlera e fondit të përdorur në këto procedura gjatë vitit 2020 është trefish më i lartë se ai në vitin 2019. Gjatë vitit 2020, janë paraqitur 741 ankesa nga operatorë të ndryshëm.

Numrin më të madh të ankesave e zunë ato në lidhje me procedurat e prokurimit për kontratat për shërbime me 342 të tilla, pasuar nga ankesat për kontratat për pun? publike. Përballë një fluksi të tillë, Komisioni i Prokurimit Publik ka pranuar për shqyrtim vetëm gjysmat e këtyre ankesave.