Shfrytëzoi të miturin, dëshmia e 50-vjeçares: U miqësua me ne, na tha se s’kishte familje

Është caktuar sot masa e sigurisë, për Bukuroshe Muharremin 50-vjeçaren, me origjinë nga Fieri banuese në Tiranë. Ajo akuzohet për veprën penale ‘Trafikimi i të miturve për qëllim shfrytëzimi’.

Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë caktoj masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Bukuroshe Muharremi u arrestua 3 ditë më parë, në flagrancë pasi kishte marrë 12-vjeçarin Renaldo Tanushi nga Bathorja, Tiranë dhe e kishte shfrytëzuar për të lypur, në plazhet e Sarandës.

Në seancën gjyqësore mbrojtja kërkoj ‘arrest në shtëpi’ derisa të qartësohen rrethanat, duke qëndruar brenda Bashkisë Sarandë, por nuk u pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë. Mbrojtja rezervohet në dhënien e informacioneve të detajuara, për vetë natyrën sensitive të çështjes që ka të bëj me të mitur.

Bukuroshe Muharremi: ‘I mituri është njohur me nipin tim në të njëjtën moshë, në rrethinat e sheshit Skënderbej, aty kanë lëvizur nga sheshi tek Liqeni Artificial. Kanë qëndruar dhe luajtur bashkë aty. Natën e kanë kaluar në lulishte pranë sheshit Skënderbej.

Fëmija u prezantua, që nuk ka prindër dhe rri në rrugë. Ngaqë u miqësua me nipin tim nuk donte, të largohej nga ne. Unë kisha blerë mallra, për ti shitur në Sarandë dhe po bëhesha gati të ikja. I mituri nuk ndahej nga nipi dhe mua, dhe erdhi me ne. Në Sarandë, rrimë tek lulishtja në Parkun Miqësia, aty kalojmë natën.

Gjatë ditës lëvizte në qytet me nipin ose vetëm dhe kthehej prapë në park. Nuk e vlerësova se duhet të njoftoja policinë. Këto shpjegime i kam dhënë edhe në polici , nuk e kam marrë me qëllim të keq apo për ta shfrytëzuar. Fëmija kishte sjellje të natyrës, që rrinte nëpër rrugë i vetmuar’.