‘Mbrojti me ligj personat nën 18 vjeç nga përmbajtjet LGBT’, PE kërkon veprime ligjore ndaj Hungarisë

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për veprime ligjore ndaj Hungarisë për shkak të një ligji kontrovers që ndalon ekspozimin e përmbajtjes së homoseksualitetit te personat nën 18 vjeç.

Eurodeputetët thanë se ligji shkel "vlerat, parimet dhe ligjet e BE-së".

Parlamenti Evropian thotë se ligji paraqet edhe një shembull të “çmontimit gradual të të drejtave themelore në Hungari".

Kryeministri Viktor Orban këmbëngul se ligji është një çështje e Hungarisë, jo e "burokratëve të Brukselit".

Parlamenti i kërkoi Komisionit Evropian (organi ekzekutiv i BE-së) që të përdorë një mjet të ri, përmes së cilit BE-ja mund të zvogëlojë mjetet financiare për vendet anëtare në rast se ato shkelin sundimit e ligjit.

Parlamenti Evropian gjithashtu bëri thirrje për veprime ligjore kundër qeverisë nacionaliste të krahut të djathtë të Hungarisë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 7 korrik e quajti ligjin një "turp".

Ligji, më saktësisht, u ndalon fëmijëve dhe të rinjve librat, filmat dhe përmbajtjet që flasin për seksualitet tjetër, përveç heteroseksualitetit./ REL/