‘Kanë ardhur ata të SPAK-ut’/ Ja përgjimet nga prangosja e Fatos Tushes

Janë zbardhur të tjera përgjime nga dosja e SPAK ku dalin qartë pazaret e ish-kryebashkiakut Fatos Tushe dhe zyrtarëve të tij në Bashkinë e Lushnjës.

Në bisedën e përgjuar, është momenti kur SPAK iu ka dërguar thirrjen për marrjen në pyetje disa zyrtarëve të Bashkisë Lushnjë, pasi ka zbuluar korrupsionin e kryer prej tyre me tenderat publikë.

PJESË NGA PËRGJIMET  

Flamur Peqini: Ikin ditët dhe nuk gjejmë dot numra protokolli. Supervizori nuk është lidhur me inxhinierin

Ibrahim Lami: Do lidhem direkt

Flamur Peqini: Nuk ka përfunduar kanali. Puna duhet bërë xixë, se kanë ardhë ata të SPAK-ut

Më datë 20.01.2021, Policia Gjyqësore e ngarkuar me këtë hetim ka sekuestruar dokumentacionin e tenderit për rehabilitimin e kanalit ujitës. Madje Flamuri i kërkon që të flasë në lidhje me këtë pjesë dhe Ibrahimi i thotë që do ketë fol Fatosi me B… për këtë gjë dhe Flamuri i thitë sërish që t’ia kujtojë këtë gjë. Në një nga bisedat midis Flamurit dhe Ibrahimit rezulton se Ibrahimi i dërgon numrin e Indritit si supervizor dhe është pikërisht ky i fundit që është angazhuar për përgatitjen e supervizimit. Po ashtu, më datë 18.01.2021, ora 14:50 Ibrahimi bisedon me Flamurin:

Ibrahim Lami: O Mule a foli gjë me Bardhin ai, se e mora dhe tha po e marr menjëherë?

Flamur Peqini: Foli, foli se isha me Bardhin në makinë. Po i thuaj që ta bëjë dosjen të gjithën të plotë që ta mbyllim të gjithën…

Në bisedën e datës 20.01.2021, ora 13:09 Flamuri i thotë: “Hë Braçe, se po të bezdis prapë unë ty… po thuaj asaj supervizores të vijë këtej se po na ikën data dhe nuk kemi ku ruajmë numrin e protokollit, se do mbyll dosja ore… se ka folë ky inxhinieri dhe i thotë jo do vijë sot, jo nesër dhe kemi ngel kështu. Merre dhe thuaji të vijë”.

Gjithashtu për lidhjen midis Fatos Tushes dhe Ibrahim Lamit dhe mbështetjen që i jep këtij të fundit tregon edhe biseda e datës 20.01.2021, ora 12:06:

“Mirë kryetar se kot të mora për qejf”. “Po unë do të të nisja më vonë diçka ta shikoje një herë… ai muhabeti që të bëra unë atëherë për atë Avdylajn… që… edhe se ç’paska ardhur dikush aty nga SPAK dhe kërkokan dosjen ata… po do të të nis unë diçka dhe flasim ne Whatsapp…”