Kritika ndaj presidentit, Lukashenko burgos kryeredaktorin e gazetës ‘Nasha Niva’

BJELLORUSI- Autoritetet bjelloruse kanë bllokuar ditën e sotme hyrjen në faqen web të gazetës ‘Nasha Niva’, ndërsa arrestuan kryeredaktorin e saj. Sipas mediave të huaja, bllokimi ka ndodhur pasi gazeta ka qenë kritike ndaj udhëheqjes së presidentit, Alexander Lukashenko. Gazeta 'Nasha Niva', një nga më të vjetrat e Bjellorusisë, mbuloi protestat kundër Lukashenkos verën e kaluar kur u bënë zgjedhjet presdienciale që opozita i konsideroi ato të manipuluara.

Njoftimin për arrestimin e kryeredaktorit të gazetës, Yahor Martsinovich e dha gruaja e tij e cila tha se bashkëshorti i saj ishte ndaluar teksa po ecte me qenin. Sipas saj, policia ka ushtruar kontroll edhe në shtëpinë e tyre dhe më pas ka marrë në pyetje kryeredaktorin. Sipas Reuters, është arrestuar edhe një gazetar e një fotograf, por më pas janë lënë të lirë.

Në lidhje me këtë ngjarje ka pasur një reagim nga autoritetet bjelloruse të cilat janë shprehur se faqja e gazetës ‘Nasha Niva’ është bllokuar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, pasi akuzohet për përhapjen e informacionit në emër të organizatave që nuk janë të regjistruara në Bjellorusi. Ndërsa për kryeredaktorin e gazetës kanë thënë se është arrestuar pasi akuzohet se vjet mori pjesë në protesta anti-qeveritare duke shkelur rendin publik.

Kujtojmë që ky nuk është rasti i parë që autoritetet bjelloruse ‘godasin’ mediat që pasqyrojnë edhe qëndrimet e opozitës. Më 23 maj, autoritetet bjelloruse kanë detyruar një avion të kompanisë Ryanair të ulet në Minsk me pretendimin se në avion kishte bombë dhe më pas autoritetet bjelloruse kanë arrestuar gazetarin Roman Protasevich dhe partneren e tij. Protasevich është një gazetar, i opozitës Bjelloruse, dhe themelues i “Nexta”, kanalit më të madh informativ të vendit që prej muajsh kishte rënë shënjestër presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko

BE dhe SHBA kanë akuzuar Bjellorusinë për rrëmbimin e avionit, i cili ka qenë duke fluturuar nga Athina për në Vilnius, kur është detyruar të devijojë drejtimin. Bashkimi Evropian i ka vendosur sanksione të shumta Bjellorusisë, për shkak të incidentit, por që asgjë nuk ka ndryshuar sjelljen e diktatorit Lukashenko.