VIDEO/ Karamuça: Vetingu do largonte krerët e policisë të lidhur me krimin e organizuar!

Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuça, në një intervistë në Syri Tv me gazetaren Armela Ferko, deklaroi se vetingu do të pastronte krerët e policisë, të lidhur me krimin e organizuar.

Karamuça theksoi se nuk duhet fajësuar vetëm policia për krimet në vend, por edhe institucionet e tjera, që duhet të jetë më efektive në goditjen e kriminalitetit.

“Rama ka ndryshuar vetëm disa emra dhe nuk ka bërë ndryshime rrënjësore, pasi kjo polici ëhstë e përlyer me grupet kriminale. Është pezulluar vettingu i drejtorëve të policisë. Rama ka thënë se duhet të ikin ata policë që janë të përlyer me krimin, ai iu ka vënë veshin analistëve, kjo sepse janë fenomene kriminale, që janë edhe në forma të reja, duhen taktika e prioritete po ashtu të reja. Rama bëri akuzë, teksa evidentoi problemet e Policisë së Shtetit.

Është rasti për të testuar rokadën, për të parë a e kanë seriozisht apo jo. Sfidë e Shqipërisë është të sfidojë kriminalitetin e lartë. Janë bërë disa ndryshime dhe ka ardhur një pikë ku nuk mban më. Në terren gjen krimin e rrugës, krimin brenda familjes, krimin ordiner, policia nuk duhet të jetë masive në rrugë, por të jetë inteligjente. Janë edhe institucione të tjera që duhet të kenë përgjegjësi, përpos policisë. Ka shumë efektivë që kanë qenë nën akuza dhe nuk kanë shkuar para drejtësisë, e këtu fajtore janë gjykatat e gjykatat janë në hall vetë se janë në sfidë të vetëpastrimit. Nuk mund të kërkosh ndryshim rrënjësor për 100 ditë, nëse nuk pastron policinë nga elementët të lidhur me krimin e organizuar”, deklaroi Karamuça.