VIDEO/ Avioni amerikan i afrohet territorit të tyre, avioni Rus i vihet nga pas

Dy avionë luftarakë rusë, kanë ndjekur në ajër një avion zbulimi Poseidon të Shteteve të Bashkuara mbi Detin e Zi, duke e detyruar të largohet nga zonat kufitare të vendit.

Video e incidentit u publikua nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Sipas kësaj të fundit, avionët Sukhoi u lëshuan pasi radari pikasi një objektiv që po i afrohej zonës ajrore ruse.

“Ekipet ruse e identifikuan avionin si një Boeing P-8 Poseidon dhe fluturuan pranë tij mbi Detin e Zi”, thuhet në deklaratë.

I prezantuar në 2013-ën, Poseidoni është një avion i përdorur prej marinës amerikane për operacione ushtarake kundër anijeve por edhe nëndetëseve, ndërsa është i pajisur me raketat e famshme Harpoon.

Su-30-ta nga ana tjetër është krenaria e forcave ruse; i manovrueshëm dhe me epërsi në ajër, ai është ndërtuar nga prodhuesi i famshëm rus Sukhoi.

Rajoni i Detit të Zi, është duke përjetuar aktualisht një aktivitet të shtuar ushtarak për shkak të stërvitjes shumëkombëshe të NATO-s, “Flladi i Detit”.

Në këto manovra në shkallë të gjerë, ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Ukraina si dhe disa vende evropiane, marrin pjesë në 40 luftanije, 30 avionë dhe 4.000 vetë personel ushtarak.