Lojërat Olimpike të Tokios do zhvillohen pa spektatorë

Lojërat Olimpike të Tokios do të jenë pa spektatorë.

Vendimi është marrë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës për shkak të koronavirusit, që e përfshinë edhe kohën kur do të zhvillohen lojërat Olimpike.

Këtë e kanë deklaruar organizatorët lokalë të lojërave pas takimit me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Organizatorët shpresonin që të paktën të lejonin deri në 50 % të kapacitetit të spektatorëve, por kjo gjë nuk është bërë e mundur.

‘Nuk kishim zgjidhje tjetër’, ka bërë të ditur kreu i komitetit lokal të organizimit të Lojërave Olimpike, Seiko Hashimoto.

Pikërisht sot presidenti i CIO-s, Thomas Bach mbërriti në Japoni, por pak më vonë qeveria japoneze e kryeministrit Yoshihide Suga ka bërë publik planin për rritjen e masave anti-Covid për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve.

Lojërat e Tokios do të zhvillohen nga 23 korriku deri në 8 gusht me ‘dyer të mbyllura’.