Polemikat: Nuk e ka për herë të parë, polici i 'llastuar' i UEFA-s ka bërë gafën e vitit

Polemika e ndeshjes Angli-Danimarkë njollosi një Evropian që deri në gjysmëfinale nuk ka pasur arbitrat protagonistë.

Në aksionin e 11-metërshit ishin dy topa në fushë dhe më pas, një kontakt fare i lehtë në zonë u konsiderua i mjaftueshëm për penallti nga ana e arbitrit holandez, Danny Makkiele.

Ky arbitër 38-vjeçar, polic me profesion, ka bërë edhe gafën e vitit këtë sezon. Në ndeshjen Serbi-Portugali, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, Makkiele nuk akordoi një gol të Cristianos që e kishte kaluar fare qartë vijën fatale, duke i mohuar fitoren portugezëve.

Në atë rast, dënimin e mori asistenti i Makkieles, i cili nuk u përfshi në “Euro 2020”, ndërsa Makkiele kërkoi falje për episodin, duke u justifikuar edhe me mungesën e VAR-it në atë ndeshje.

Në “Euro 2020” ka gjykuar 4 ndeshje, ku ka bërë edhe gabime trashanike, por që nuk kanë rënë në sy. Shembulli më i mirë është akordimi i një pozicioni jashtë loje kur topi u dha nga rivënia anësore, në ndeshjen Itali-Turqi.