'Belbëzimi i ambasadorëve përballë një regjimi e një pseudo-parlamenti'

Nga Tritan Shehu.

Sikur nuk ndodhen në Tiranë institucionet ndërkombëtare,  ata që sot duhet të flasin fort, në fakt të ulërijnë për atë që po ndodh me degradimin e thellë të demokracisë shqiptare edhe nëpërmjet atij parlamenti antikushtetues e 42 “pupacësh”!

Ndonjë nga ata mund të na thotë: Ju i latë vendet bosh!

Mund të qëndrojë kjo, por qoftë edhe një gabim i rëndë nga patetizmi e entuziazmi joracional i yni i atëhershëm nuk mund të korrigjohet me një vazhdë krimesh ndaj së drejtës, të kryera nga ky regjim që po rrënon kështu çdo ditë demokracinë shqiptare.

Atëherë e më tej na kritikuan, na “goditën”- e pranoj, kishte një sens ajo!

Po sot, kur demokracia shqiptare, institucionet e saj po shkallmohen deri në themel?

Heshtje ose vetëm disa belbëzime timide, disa zëra që duket sikur dridhen kur flasin!

U prek Kushtetuta në mënyrën më flagrante, Kodi zgjedhor… “shkarkohet” Presidenti dhe se fundmi, ditën e fundit të asaj karrikature legjislative caktohet dhe kreu i AMA-s në kundërshtim të plotë me kriteret e vet institucioneve europiane!

Dhe partnerët tanë perëndimore, autorët e atyre kritereve, ata tek të cilët ne besojmë, shtetet e BE-së, donatorët kryesorë e fqinjë, Brukseli, KiE, OSBE etj, mbi të cilët shpresojmë, heshtin ose vetëm belbëzojnë formalisht.

Shqipëria kështu po implementon modelet e autokratëve lindorë, shumë larg kjo të vetmit model të demokracisë që ekziston në botë, atij Perëndimor.

Dhe më paradoksalja, heshtin ose bëjnë sikur përgjigjen edhe kur ky regjim i sulmon, akuzon, i vë në lojë ata direkt edhe si përgjegjës të bllokimit të integrimit tonë, kur hedh mbi ju të nderuar partnerë “baltën” që ai ka “gatuar” në Shqipëri!

Të dashur miq e supermiq Perëndimorë, kështu nuk na ndihmoni e as e shpëtoni dot Shqipërinë nga humnera larg demokracisë e Europës, ku po na fundos ky regjim!

Me këto unë nuk përjashtoj aspak atë çfarë neve duhet të bëjmë në përballje me regjimin, më mirë e me forcë për të shpëtuar vendin tonë!