'Uaa, do na marrë në pyetje SPAK'/ Korrupsioni i Tushes me naftën: Mbushe makinën me '3 teta'

SPAK arrestoi 11 personë në Lushnje, përfshirjë edhe kreun e bashkisë për korrupsion në lidhje me ndërtimin e një kanali vaditës me vlerë 24 milion lekë. Gjithçka nisi nga ankesa që dy kompanitë e skualifikuara nga gara bëjnë në Agjencinë e Prokurimeve Publike në lidhje me vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Lushnjes.

Është pikërisht ankesa që kanë bërë kompanitë “Avdyli” sh.p.k dhe “Bahas” sh.p.k në APP që vë alarmin mes punonjësve të bashkisë dhe kompanisë që u shpall fituese përmes procedurave të parregullta, telefonatat e të cilëve kanë “ngecur” më pas në rrjetën e SPAK. Pjesë e telefonatave është edhe kryebashkiaku Tushe, i cili i sugjeron ndër të tjera kompanisë që shpalli fitues që të “merret vesh” me “Avdylin” për ta mbyllur këtë “punë”, ndërsa nuk kursejnë fyerjet ndaj tij duke e quajtur “burrë të poshtër”.

Punonjësit e bashkisë alarmohen edhe më tepër kur në zyrë iu vjen një shkresë nga SPAK.

“Uaa do na marrë në pyetje SPAK”, shprehet ndër të tjera Blerat Turku, juriste pranë Ndërmarrjes së Pasurive Publike në bashkinë Lushnje. Ajo flet me dikë në telefon dhe mes tyre zhvillohet kjo bisedë:

Blerta: Uaa do na marrin në pyetje ata të SPAK... e di si jam bërë?

Personi: Çfarë thua?! Për çfarë?!

Blerta: Për atë dosjen që morën... e di si jam bërë? Se vetëm ne që kemi vendosur kriteret do na pyesin.. uaa do na marrë SPAK-u në pyetje?

Por Fatos Tushe është kapur duke shpërdoruar detyrën në disa drejtime. Nga përgjimet ka rezultuar se ai ka lejuar persona të tjerë që të furnizojnë makinën me karburantin e shtetit, Në një nga bisedat e përgjuara, dëgjohet teksa një person që do ikte me pushime dhe merr Fatos Tushen që të furnizojnë makinën.

Personi: Përshëndetje, si jeni, si keni qenë, mirë?

Fatos Tushe: Përshëndetje miku im, faleminderit, mirë,

Personi: Ju pengoj, jeni me pushime besoj,

Fatos Tushe: Jo, jo.

Personi: Unë nesër do iki me pushime...

Fatos Tushe: Është ok, po nesër në mëngjes ku do kalosh ti.

Personi: Epo nesër në mëngjes aty do të kaloj unë, do futem në Lushnje, aty nga ora 7:30 besoj.

Fatos Tushe: Epo mirë, të nxjerr këtë drejtorin e burimeve njerëzore unë.

Të njëjtën gjë bënte dhe drejtori i Ndërmarrjes së pasurive publike, Flamur Peqini. Ky i fundit kërkon që të mbushet me karburant makinia e djalit të biznesmenit Ibrahim Lami.

Menaxheri i karburantit: Urdhëro Flamur.

Flamur Peqini: Hidhi asaj me 3 teta o burri i dheut.

Menaxheri i karburantit: Ok, ja tani në sekonda.

Flamur Peqini: Shpejt o tani, ajo me tre teta, e ke parasysh, është çuni i shefit ooo, shpejt.

Menaxheri i karburantit: Po, po, hajt, hajt.

Flamur Peqini: Hë Daniel.

Menaxheri i karburantit: O vlla kam këtë çunin e shefit këtu o.

Flamur Peqini: Çunin e shefit, ok mbushe dhe më ço mua mesazh sa litra i hodhe.