VIDEO/ Gjuzi dhe Jenishehri trondisin opinionin me 'kontributin historik'

Dy deputetë të parlamentit, Kujtim Gjuzi dhe Selami Jenishehri, që interpretuan si opozitarë për dy vjet, një ditë pasi kanë lënë përfundimisht Kuvendin e Shqipërisë janë ftuar në “Kafe Shqeto” të Syri TV nga drejtuesit e emisionit, Dori Daka dhe Flavio Qarri për të dhënë një përgjigje të saktë dhe të qartë pyetje: Cili qe kontributi i tyre në politikë, kontributi specifik personal për Shqipërinë?!

Por, gazetari Qarri u bëri një lutje të veçantë ndjekësve të emisionit në nisje të intervistës me dy deputetët Gjuzi dhe Jenishehri:  “Sot do të kemi disa nga protagonistët e kësaj legjislature, që shpesh kanë shkaktuar ilaritet dhe të qeshura, por unë sugjeroj që sot, për shkak të rëndësisë që ka parlamenti në jetën e vendit tonë, të mos biem pre e një shakaje të lehtë, por t’i trajtojmë çështjet me seriozitet.”

Drejtuesja e emisionit Dori Daka ftoi të parin për të dëgjuar deputetin Kujtim Gjuzi të së ashtuquajturës së konsideruar “Opozita e re”.

Daka: Përshëndetje z. Gjuzi, kënaqësi që ju kemi!

Deputeti: Faleminderit që më keni thirrur për herë të parë në Syri TV!

Daka: Po, dhe për herë të parë që vini do të flisni për atë që ka qenë ndoshta eksperienca politike më e rëndësishme dhe më gjithëpërfshirëse për ju. Pyetja ime është që në fund të kësaj legjislature, në ditën e parë të lirisë le të themi, përveç momentin kur ju befas u gjendët deputet i Kuvendit të Shqipërisë, cili ka qenë momenti më i rëndësishëm kur ju keni dhënë një kontribut të veçantë dhe personal në ligjbërje?

Deputeti Gjuzi: Ju falenderoj për pyetjen zonjushe, por nuk është “befas”, Kujtim Gjuzi në parlament! Me sa duket ju nuk keni pasur informacionin e duhur në lidhje me marrëveshjen midis PD-së, Partisë Konservatore dhe partive të tjera për atë marrëveshje të datës 16 maj 2017.  

E përsëris atë çka thashë, Gjuzi nuk gjendet “befas” në parlament! Unë jam kryetar i Partisë Kombëtare Konservatore dhe më 16 maj, pas 90 ditësh në Çadër, luftuam fort që t’i merrnim gjysmën e qeverisë Edi Ramës . Kjo ndodhi!

Pas asaj, ishim së bashku në takimin e datës 16 ku ramë dakord me Kryetarin e PD-së që të ishim në qendër të listës. Nëse Tirana p.sh kishte 34 deputetë, Gjuzi duhej të ishte numri 17! Kjo nuk ndodhi por kishte nga ato që ndodhën dhe ne luftuam që të ishim në parlament. Lëvizjet tona ishin sa diplomatike, ndërkombëtare aq edhe lëvizje politike për të bërë të pamundurën - të mundur. Ne e bëmë këtë, ishim në parlament.

Pyetja juaj ishte se “si dhe çfarë bëmë ne dy vjet në parlament?!”-  Ne ishim në rastin e 99-vjetorit në këtë parlament, të 100-vjetorit dhe tani jemi në 101 vjet parlament shqiptar. Ne nuk mund ta linim parlamentin pa deputetë....”

E njëjta pyetja nga gazetarja Daka iu drejtua edhe të ftuarit tjetër, deputetit - kryetar Partie, z. Selami Jenishehri.

Jenishehri evidentoi me forcë si arritje “Kodin Zgjedhor”. “Unë isha në koalicion me PD-në, - tha ai, - dhe kishim bërë një marrëveshje me PD-në që votat e partisë sonë bashkë me ttë PD-së dhe të 35 partive të tjera t’i bashkonim e të merrnim pushtetin me kusht që Kryeministër i Shqipërisë të ishte z. Lulzim Basha. Por, me kusht që votimet të bëheshin elektronike.

Ai s’e mbajti fjalën’ ai iku tek zoti Edi Rama, bëri një marrëveshje me të dhe na tradhtoi koalicionin. Në këto kushte që na tradhtoi, na erdhi radha për t’u futur në parlament dhe ne nuk kishim pse mos …Ne e kishim këputur marrëdhënien me z. Basha se e pamë të arsyeshme që të japim kontributin atje.

Unë jam kryetar i Partisë Popullore të Pensionistëve Shqiptarë dhe erdhi një moment historik që ne të ishim prezent në Kuvendin e  Shqipërisë  dhe na u dha mundësia që ta shkatërronim këtë sistem të degjeneruar politik që ka Shqipëria duke bërë një Kod Zgjedhor; pothuajse ia dolëm në ekzistencën tonë gjatë këtyre dy vjetëve në parlament dhe të aprovojmë një Kod Zgjedhor që siguron demokraci thuajse 100%.

Se gjysma e popullti shqiptar është jashtë shtetit, gjysma tjetër është në Shqipëri. Gjysma e popullit në Shqipëri nuk voton, pra gjysma e gjysmës shkon të votojë, çereku shkon të votojë e janë me PD dhe pjesa tjetër me PS. Pra, i takon 1/8 . PS-ja nëse po e quajmë se ka fituar zgjedhjet, e ka fituar me 1/8. Pra 1 sundon 8 të tjerë. Ne, duke aprovuar këtë Kod Zgjedhor, emigrantët do të votojnë atje ku jetojnë, pra gjysma e popullit shqiptar se kjo është e vetmja gjë që vendos demokracinë në Shqipëri.”

Moderatori i emisionit Flavio Qarri u detyrua disa herë t’i ndërpresë dy deputetët që t’i përgjigjeshin pyetjeve direkte, ç’ka u bë e vështirë herë pas here pasi diskutimet morën zjarr.

Por pyetja e Qarrit që krijoi ngërç dhe e ndezi edhe më debatin duket qe ruajtur për në fund:

“Ju keni një kontribut në Kodin Zgjedhor, z. Jenishehri, bashkë me ju dhe kolegu Gjuzi. Por ky Kod arriti të prodhojë një avantazh taktik për maxhorancën  duke e mbajtur atë në mënyrë të paprecedentë në pushtet për të tretën herë dhe gjithashtu nuk ia doli t’ju përfshinte në jetën e Kuvendit. A jeni pishman për këtë, a keni kritikë për publikun që nuk ju votoi për t’ju rikthyer si deputetë?!”

Ndiqni zhvillimin e debatit në Kafe Shqeto, pas kësaj pyetjeje me thumb./ar.sh/SYRI.NET