Si u fitua tenderi korruptiv/ Tushe e dinte për hetimin e SPAK, madje doli garant

Zbardhet dosja e hetimeve që çuan në pranga kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe dhe Flamur Peqinin, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë. Në dokument faktohet bashkëpunimi i Tushes dhe Peqinit në tenderin korruptiv për rehabilitimin e një kanali ujitës.

Nga sa mësohet për të kryer këto punime, në garë janë paraqitur 3 kompani BOE Avduli shpk dhe Bahas shpk, Hastiçi shpk dhe EuroAlb shpk.

Në përfundim të afatit të paraqitjes së ofertave, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, Margarita Gjermeni, ekonomiste, Gazmend Çela nëndrejtori dhe Xhemal Hasko përgjegjës i sektorit të ujitje të kullimit, kanë shpallur fituese kompaninë EuroAlb shpk që kishte paraqitur ofertën më të lartë 22.645.35. lekë pa TVSH me administrator Bujar Muratin.

Këtu "hyn në lojë", kryebashkiaku Tushe dhe drejtori i ndërmarrjes së pasurive publike Flamur Peqini. Nga hetimet rezultoi se edhe pse firma EuroAlb shpk kishte fituar tenderin, punimet dhe përfitimin real të të ardhurave, i kishte realizuar dhe përfituar paratë biznesmeni Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Murati.

Që SPAK kishte nisur hetimet, ky grup i punonjësve të Bashkisë ishte vënë në dijeni, madje për këtë sipas përgjimeve të një nga personave të arrestuar, kryebashkiaku Fatos Tushe kishte bërë 20 herë mbledhje se çfarë do u thuhet prokurorëve.

Punonjësi 1:  Është një polic që ka sjellë shkresa si persona që mund të kenë në dijeni.
Punonjësi 2: Kush do pyetet tjetër?
Punonjësi 1: Unë, Ilva dhe inxhinieri.
Punonjësi 2: Po ajo çne?
Punonjësi 1: Është njësi ajo.
Punonjësi 1: Po, po, por duhet të shkoj në Tiranë.
Punonjësi 2: Ti?
Punonjësi 1: Në të tre që na kanë thirrur si persona që mund të kemi dijeni, të mërkurën në orën 11 te SPAK-u, mua thjesht s'më vjen mirë, po s'kam gjë, jam e qetë për punën që kam bërë.
Punonjësi 2: Ajo ka rëndësi, habitem ç'ne që ju ngeli vetëm ju përgjegjësia.
Punonjësi 1: Ne nuk jemi nën hetim, jemi persona që mund të kemi dijeni, pastaj thirren ata se mund të kenë qenë në përgjim.
Punonjësi 2: Ashtu po, po dijeni për çfarë se nuk dihet se për ça ju pyesin atje, më kupton.
Punonjësi 1: Thanë mos kini merak, mos e diskutoni as në familje thanë, të mos shqetësohen kot
Punonjësi 2: Kush tha?
Punonjësi 1: Drejtori dhe ai miku jot.
Punonjësi 2: Epo mirë.
Punonjësi 1: Na kanë bërë 20 herë mbledhje gjoja ça të themi atje
Punonjësi 1: ... Neve na ka dalë Fatosi garant, garant.